Natyra Kuçi: Seanca e djeshme ridëshmoi arrogancën e pushtetit ndaj opozitës
Zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate (PSD), Natyra Kuçi, ka kritikuar sjelljen e pushtetit në seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës, në të cilën nuk u arrit të votohet projektrezoluta e opozitës për dialogun me Serbinë.
Në profilin e vet në “Facebook”, Kuçi ka shkruar se në këtë seancë u ridëshmua
arroganca e pushtetit për ta shpërfillur opozitën.
“Seanca e djeshme plenare lidhur me projektrezolutën e inicuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës për dialogun me Serbinë, ridëshmoi arrogancën e pushtetit për ta shpërfillur opozitën. Por, dështimi i djeshëm për ta votuar projekt-rezolutën duhet t’i shërbejë edhe një pjesës së opozitës për të nxjerr mësime. Jo vetëm për ta kuptuar mundësinë që e kemi sot si opozitë për të vepruar në Kuvendin e Republikës karshi qeverisë së pakicës. E drejtë e tyre legjitime është ta vazhdojnë bojkotin e tyre selektiv. Jo edhe aq për shkak të mungesës së disa deputetëve të partive të tjera opozitare në seancën e djeshme. Llogaridhënia politike ndaj publikut për këto mungesa është përgjegjësi e tyre si subjekte të veçanta”, ka shkruar Kuçi, duke shtuar se dështimi i këtij votimi do të duhej të shërbejë për të kuptuar më në fund se veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara brenda opozitës, përkatësisht mungesa e një plani dhe strategjie të veprimit të përbashkët opozitar, brenda dhe jashtë Kuvendit të Republikës, nuk po japin efekte dhe rezultate konkrete në kundërshtimin e pushtetit.
/Epoka e re/