Navalny mund të ketë vdekur nga helmimi në burg, thotë grupi hetues
Politikani opozitar rus dhe kritiku i hapur i Kremlinit, Aleksei Navalny, i cili vdiq në burg në shkurt të këtij viti, mund të jetë helmuar, tha grupi hetues Insider.
Ky grup iu referua dokumenteve zyrtare që duket se ishin redaktuar për t’u përputhur me pretendimet e Rusisë se ai vdiq nga problemet kardiake.
Sipas një raporti nga Insider, publikuar më 29 Shtator, grupi ka marrë dy variante të dokumenteve zyrtare mbi vendimin për të mos nisur një hetim mbi vdekjen e Navalnyt në shkurt në burgun e largët Polar Ëolf në distriktin Arktik të Yamalo-Nenets, ku ai po kryente dënimin për akuzat që ai dhe mbështetësit e tij i konsideronin të motivuara politikisht.
Të dy dokumentet janë lëshuar më 26 korrik 2024, dhe teksti në një nga ato, tha Insider, duket se është ndryshuar dhe tani përputhet me shpjegimin zyrtar për vdekjen e aktivistit kundër korrupsionit.
E veja e Navalnyt, Yulia Navalnaya, ka thënë se burri i saj “në minutat e fundit të jetës së tij, ankohej për dhimbje të forta në stomak”, ndërsa bashkëpunëtorët e Navalnyt kanë thënë se ai u vra në burg me shumë gjasa me urdhër të Kremlinit, një pretendim që Kremlini e ka mohuar me forcë.
Një nga dokumentet – me shumë gjasa të lëshuar fillimisht sipas Insider – thuhet se më 16 shkurt Navalny “filloi të ankohej për dhimbje të forta në zonën e abdomenit dhe filloi të kishte konvulsione dhe humbte vetëdijen”
Një dokument tjetër, që duket se është redaktuar, nuk përmend simptomat e përshkruara në dokumentin fillestar. Raporti zyrtar i autopsisë tha se hipertensioni dhe sëmundje të tjera shkaktuan një çrregullim të ritmit të zemrës që çoi në vdekjen e Navalnyt.
“Shkaku zyrtar i vdekjes – çrregullimi i ritmit të zemrës – nuk do të shpjegonte simptomat që shohim në (raportin e parë): dhimbje të forta abdominale, të vjella dhe konvulsione. Është e pamundur që simptomat e tilla të shpjegohen nga ndonjë gjë tjetër përveç helmimit”, sipas specialistit Aleksandr Polupan, që e trajtoi Navalnyn në një spital në Omsk, pas helmimit të tij me një agjent nervor të stilit Novichok në vitin 2020.
“Intervali i shkurtër mes dhimbjes abdominale dhe konvulsioneve sugjeron se mund të ketë qenë, për shembull, një substancë organofosforike (klasa e substancave ku përfshihet edhe Novichok), por vetëm nëse ishte aplikuar nga brenda, jo nga jashtë”, shtoi ai.
Me të u pajtuan edhe mjekë të ndryshëm të intervistuar nga Insider.
Në vitin 2020, Navalny u helmua me një agjent nervor të ngjashëm me Novichokun, por mbijetoi pasi u transportua në Gjermani dhe u trajtua atje. Navalny akuzoi presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, për urdhërimin e helmimit të tij atëherë, por Kremlini e ka mohuar këtë.
Insider nuk specifikoi se si dhe nga kush i kishin marrë dokumentet. Zyrtarët rusë ende nuk kanë komentuar mbi raportin.
Pas vdekjes së Navalnyt, zyrtarët refuzuan t’i dorëzojnë trupin nënës së tij për më shumë se një javë, duke nxitur akuzat nga mbështetësit e tij se zyrtarët po përpiqeshin të fshihnin prova të vrasjes së tij. Konspiracionet vazhduan të qarkullonin, me ish-bashkëpunëtorin e Navalnyt, Ivan Zhdanov, që tha më 3 shtator se refuzimi i prokurorisë në distriktin autonom Yamalo-Nenets për të nisur një hetim mbi vdekjen e Navalnyt ishte ilegal.
Autoritetet e distriktit thanë në kohën e vdekjes së Navalnyt, një hetim ishte nisur, megjithëse nuk ka pasur asnjë raport dhe asnjë gjetje nuk është publikuar.
Insider tha se “fakte të tjera” gjithashtu mbështesin hipotezën e përdorimit të një substance toksike në vdekjen e Navalnyt.
“Autoritetet nuk e liruan trupin për një kohë të gjatë dhe nuk lejuan një ekzaminim alternativ. Megjithatë, vetëm tani është dokumentuar fakti i helmimit”, tha ai. /REL