Navalny “po humb ndjesinë në duar dhe këmbë”
Politikani i burgosur në Rusi, Aleksei Navalny po përballet me dy herni diskale në shpinë dhe ka nisur të humbë ndjenjat në këmbë dhe duar, ka thënë një prej avokatëve të tij, pas vizitës që i ka bërë në burg.
Olga Mikhailova i ka thënë kanalit televiziv Dozhd se Navalny ka refuzuar dy ilaçe që i kanë përshkruar autoritetet e burgut, pasi ato nuk janë përdorur në mjekësi tash e 30 vjet.
Navalny, 44-vjeçar, është ankuar për dhimbje të mëdha të shpinës dhe mpirje të këmbës për gati tri javë, kanë thënë ndihmësit e tij. Pas përfundimit të një rezonance magnetike më 24 mars, autoritetet e burgut i kanë thënë agjencisë së lajmeve Interfax se gjendja e tij është “stabile, e kënaqshme”.
Navalny ua ka dhënë avokatëve të tij rezultatet e kontrollit dhe Mikhailova ka thënë se rezultatet tregojnë se ai ka herni diskale.
Ajo ka shtuar se temperatura e lartë e Navalnyt ka rënë, prej kur ai është bartur në një dhomë të të burgosurve të sëmurë më 5 prill.
Megjithatë, sipas saj, Navalny ka ende kollë. Testi fillestar për koronavirus ka dalë negativ, derisa Mikhailova ka thënë se është në pritje të testit të dytë.
Sipas avokates, gjendja e Navalnyt mund të jetë përkeqësuar si pasojë e kujdesit të dobët shëndetësor që i është ofruar atij në burg.
Ajo ka thënë se beson që autoritetet e burgut janë të frikësuara se vizita e ndonjë specialisti mund të shpërfaqë “trajtimin e tyre të tmerrshëm, që ka çuar në përkeqësim të gjendjes shëndetësore të Navalnyt”.
Mikhailova dhe Vadim Kobzev, një tjetër anëtar i ekipit ligjor të Navalnyt, kanë konfirmuar se Navalny vazhdon të jetë në dhomën mjekësore të burgut.
“Aleksei ec vetë. Ndjen dhimbje teksa ecën. Një faktor shqetësues është se sëmundja po përparon sa i përket humbjes së ndjesisë në këmbë dhe duar”, ka shkruar ai në “Twitter”.
Navalny ka nisur grevë urie javën e kaluar, çka ka rritur edhe më shumë shqetësimet për shëndetin e tij.
Ai është duke humbur 1 kilogram në ditë, ka thënë Kobzev./rel/