NBA aprovon një javë merkato para rikthimit, Lakersat synojnë rikthimin e bujshëm
Gjatë një takimi që drejtuesit e skuadrave të NBA-së zhvilluan me komisionarin Adam Silver u shprehën për domosdoshmërinë e afrimit të lojtarëve të rinj për pjesën e mbetur të sezonit për faktin se do të jetë një sezon i ngjeshur me ndeshje dhe frika nga dëmtimet është e madhe.
Lojtarët kanë kohë pa luajtur për shkak të izolimit nga koronavirusi. Është rënë dakord që ekipet të zhvillojnë një javë merkato, duke nisur nga 22 qershori. Merkato do të kryejnë jo vetëm 22 ekipet që do ta vijojnë sezonin, por të 30 ekipet. Siç dihet, sezoni do të rinisë nga 31 korriku në Orlando (Florida), ku ekipet do të luajnë nga 8 ndeshje dhe më pas do të vazhdojë faza “play-off”.
Kjo “dritare” e merkatos i ka dhënë mundësi skuadrës së Lakersit të synojë një rikthim të bujshëm, siç është ai i DeMarcus Cousins. Lojtari firmosi verën e kaluar me Lakersin, por u hoq nga grupi më 24 shkurt, për t’i dhënë hapësirë Markieff Morrisit. Sipas ESPN, skuadra kaliforniane do t’i japë një shans Cousins për të luajtur sërish, duke qenë se përvoja e tij është e madhe dhe mund ta ndihmojë ekipin, sidomos në “play-off”. Lakersa e kanë siguruar “play-off”-in dhe këto tetë ndeshje që do të luajnë në sezonin e rregullt do të shërbejnë për të integruar Cousins me grupin.