NBA, gati të ngrejë siparin
Mëngjesin e së mërkurës, do të nisë sezoni 2024-2025 në NBA, kampionati më i bukur i basketbollit në botë. Ndeshja që do të çelë sezonin e ri është ajo mes Boston e New York, që do të pasohet nga sfida mes Lakersave dhe Minnesotas.
Një kampionat që pritet me shumë interes, me shumë yje që synojnë të fitojnë titullin kampion dhe të rrëzojnë nga froni Boston Celtics. Do të jenë pikërisht kampionët ata që do të zbresin të parët në fushë. Në një ceremoni, kampionët e sezonit të fundit do të marrin unazat e titullit, në një festë para tifozerisë së tyre.
Këtë sezon, për herë të parë në historinë e NBA do të luajnë në një ekip babë e bir: LeBron James e djali i tij Broony me fanellën e Lakersave. Skuadra që ka ndryshuar më shumë këtë sezon është Philadelphia, që ka në përbërjen e saj plot 8 lojtarë të rinj. Të gjitha ekipet janë duke bërë përgatitjet e fundit në prag të sezonit të ri, që pritet të dhurojë spektakël.