NBC: SHBA do të dërgojë në Kosovë për verifikim, afganët që dyshohet se kanë lidhje me talibanët dhe grupet terroriste
Rreth 100 afganë që janë evakuuar në SHBA, dyshohen për lidhje të mundshme me talibanët ose grupet terroriste, kanë thënë dy burime të ndryshme për NBC News.
Verifikimi i të paktën dy prej këtyre afganëve ka zbuluar informata të mjaftueshme për të ngritur shqetësim sa që SHBA-ja po planifikon t’i dërgojë ata në Kosovë për verifikim të mëtutjeshëm, thotë burimi.
Po ashtu, sipas këtij burimi, secili refugjat që nxit shqetësime të tilla do të dërgohet në Kosovë gjithashtu.
Burimet megjithatë thonë se këto dyshime nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht se ai person i dyshuar është një terrorist ose që paraqet kërcënim.
Nga më shumë se 30,000 të evakuuar nga Afganistani në SHBA, rreth 10,000 prej tyre kishin nevojë për kontroll shtesë që nga e premtja, 100 prej tyre u vlerësuan se mund të kenë lidhje me grupet terroriste.
NBC ka raportuar se disa evakuuar, emrat e të cilëve ishin në listat e vëzhgimit u penguan të hynin në SHBA.