
Ndahen 6 milionë euro për bizneset që u mbyllën për dy javë
Qeveria e Kosovës ka ndarë në mbledhjen e sotme 6 milionë euro për subvencionimin e pagave dhe qirave të bizneseve të cilat me vendim të Qeverisë u mbyllën për dy javë, nga 7-18 prill.
Pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, në një konferencë për media Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka thënë me këtë rast se subvencionimi do të bëhet deri në 50%.
“Sot janë ndarë 6 milionë euro për subvencionimin e pagave dhe qirave të bizneseve që janë prekur nga disa prej masave të vendosura nga Qeveria për periudhën 7 prill deri 18 prill. Subvencionimi i pagave dhe qirave bëhet deri në 50 për qind. Në vendim janë të detajuara llojet e bizneseve”, ka thënë Murati.
Sipas tij, subvencionimi do të bëhet në bazë të aplikimit të dorëzuar nga bizneset ku janë të vendosura kufizimet dhe kriteret për të përfituar nga ky subvencionim. “Detaizimi i kritereve për të fituar nga këto masa do të bëhet me një vendim të veçantë të Ministrisë”, ka thënë Murati.