Ndahen 7 milionë euro për menaxhim të mbeturinave
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, dhe përfaqësues të GIZ- it, drejtori David Oberhuber dhe udhëheqësja e projektit, Alexandra Linden, kanë nënshkruar marrëveshje të bashkëfinancimit për skemën e granteve të bazuara në performancë.
Ministri Matoshi, pas ceremonisë ka thënë se MMPH-ja në bashkëpunim me GIZ-in gjerman ka lansuar këtë skemë, me qëllim të përmirësimit të gjendjes së mjedisit në vend, menaxhimit të mbeturinave si dhe shtrirjen e shërbimeve komunale për mbeturina.
Sipas ministrit Matoshi, në bazë të kësaj marrëveshje, duke filluar nga viti 2020, MMPH-ja do të ofrojë një buxhet vjetor për pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme për menaxhimin e mbeturinave komunale.
“Buxheti i përgjithshëm do të jetë 3.5 milionë euro për tri vjet dhe do të ndahet në faza. Në vitin 2020 buxheti do të jetë 466 mijë e 655 euro, në vitin 2021 do të jetë 1.166.655 euro ndërsa në vitin e 2022 do të jetë 1.866. 655 euro”, ka deklaruar ministri Matoshi.
Ndërsa drejtori i GIZ-it në Kosovë, David Oberhuber, duke falënderuar ministrin Matoshi për bashkëpunim, ka pohuar se është koha që MMPH-ja ta udhëheq këtë projekt në tërë territorin e Kosovës.
“Është koha e ministrisë suaj, që të marrë përsipër këtë detyrë dhe ta shpërndajë këtë në ministri të tjera dhe në tërë vendi. Ministria duhet të investojë buxhetin e saj në këtë drejtim sepse është hap kyç për qëndrueshmërinë e këtyre projekteve”, është shprehur Oberhuber.
Në sektorin e menaxhimit të mbeturinave do të investojnë edhe Komisioni Evropian me rreth 6 milion euro si dhe MAPL me “Demosin” Zviceran me 9 milionë euro.
/Epoka e re/