Ndahen certifikatat për të rinjtë pjesëmarrës të kampit veror “Change-Makers”
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së certifikatave për pjesëmarrësit e kampit veror “Change-Makers” në parkun “Gërmia” në Prishtinë.
Kampi “Change-Makers” u përkrah financiarisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Programi “Përkrahje Adoleshentëve pas Mësimit të Rregullt” (ASSET), i cili financohet nga USAID, ndërsa zbatohet nga Qendra për Arsim e Kosovës (KEC) në partneritet me FHI 360 dhe Crimson Capital Corp.
Gjatë kësaj ceremonie ministri Gashi ka theksuar se projekte dhe organizime të këtilla rinore janë edhe objektiv i ministrisë dhe atij si ministër që të rinjtë të njihen sa më shumë me njërin-tjetrin. “Sot kemi një ditë të rëndësishme për të gjithë të rinjtë e Kosovës, e veçanërisht për të rinjtë të cilët për herë të parë certifikohen si pjesëmarrës në kampin veror, i cili ofron mundësinë që të rinjtë e Kosovës të marrin pjesë në kampe inovative verore falas”, ka thënë ministri Gashi.
Në partneritet me Qendrën e Kosovës për Arsim (KEC) dhe USAID, MKRS-ja mundësoj që 40 të rinj të ndërtojnë projekte kreative gjatë kampit dhe të përjetojnë aventura në natyrë. “Jam jashtëzakonisht i gëzuar që gjatë kësaj jave pjesëmarrësit kanë mësuar për lidershp, kanë zhvilluar shkathtësi të reja dhe kanë ndryshuar komunitetin e tyre përmes punës vullnetare. Shkollat ‘Skënderbeu’ dhe Dëshmorët e Kombit” në Kamenicë janë pajisur me dollapë dhe ulëse për kënd të leximit dhe klasë, të ndërtuara nga vetë kampistët”, ka deklaruar Gashi.
Ministri ka theksuar se mbetet i përkushtuar që do të jetë sa më afër të rinjve dhe përpiqet maksimalisht që t’u krijojë atyre lehtësira që të zhvillojnë aktivitetet dhe të kenë mundësi t’i realizojnë idetë e tyre inovative. “Unë zotohem që projekte të tilla si ministër do t’i mbështesë në vazhdimësi sepse tashmë kemi krijuar edhe fondin rinor i cili në kuadër të objektivave parasheh edhe organizimin e kampeve në tërë Kosovën”, u shpreh ministri Gashi, duke potencuar se ky nuk ka qenë kampi i parë por se janë mbajtur edhe disa kampe të tjera.
Si shenjë mirënjohjeje dhe respekti për punën e bërë nga kampistët, ministri Gashi së bashku me Brian Martalus, drejtorin e Zyrës për Zhvillim Ekonomik në USAID, iu ndanë certifikatat kampistëve në ceremoninë përmbyllëse të kampit.
/Epoka e re/