Ndahen çmimet për artet pamore ‘Muslim Mulliqi’
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Kujtim Gashi, sot në një ceremoni ka ndarë çmimet në fushën e artit pamor.
Çmimi Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Muslim Mulliqi” i është ndarë prof. Agim Çavdarbashës – post mortum.
“Sipas jurisë vlerësuese Çmimi Kombëtar për Veprimtari Jetësore ‘Muslim Mulliqi’ post mortum të ndjerit Agim Cavdërbasha, i ndahet pasi që me aktivitetin e tij përveç që ka kontribuar në cilësinë e artit pamor ka prezantuar Kosovën edhe në Dokumenta 14, që njëherësh është edhe një prej aktiviteteve më me peshë në skenën e artit botëror”, ka shkruar Gashi në llogarinë e vet në “Facebook”.Kurse Çmimi Vjetor për të Arriturat në Fushën e Artit Pamor i është ndarë profesorit Agim Salihu.
“Ndërkaq për të arriturat në fushën e artit pamor pasi që me aktivitetet e tij ka lënë gjurmë në artin pamor, ka prezantuar Kosovën edhe në disa aktivitete-bienale shumë të rëndësishme si në Kinë dhe Japoni, Çmimi Vjetor për të Arriturat në Fushën e Artit Pamor iu nda profesorit Agim Salihu”, ka thënë Gashi, duke premtuar mbështetje të plotë për këtë kategori shoqërore.
“Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit dhe unë si Ministër do jem në përkrahje dhe mbështetje të plotë të kësaj kategorie shoqërore e cila mban gjallë kulturën dhe shpirtin e popullit tonë”, është shprehur ministri Gashi./Epoka e re/