Ndahen çmimet vjetore të Gazetarisë për vitin 2023
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka ndarë sot Çmimet Vjetore për Gazetari, ku fitues të çmimeve u shpallën 11 gazetarë.
Çmimi kryesor, “Gazetari/ja i/e Vitit”, u nda pas një gare tejet të ngushtë mes gazetares Alberta Hashani nga “Betimi për Drejtësi” dhe gazetarit të Nacionales, Vullnet Krasniqi.
Hashani u vlerësua për hulumtimin “Mashtrimet në emër të avokatëve”, i cili tregon se si qytetarët vihen në lajthitje nga persona që nuk janë avokatë, por marrin para nga qytetarët për t’i përfaqësuar në raste gjyqësore.
Krasniqi, u vlerësua për serinë e videove dhe shkrimeve mbi skandalin e VISAMETRIC, që nxiti nisjen e hetimeve e më pas edhe ngritjen e aktakuzës nga Prokuroria, arrestimin e pronarit të kompanisë si dhe respektimin e vendimit të Gjykatës duke ua kthyer paratë e mbledhura jashtëligjshëm në duart e qytetarëve, si dhe duke hequr pagesën obligative për aplikuesit tjerë prej majit të këtij viti.
Çmimi për gazetarët më të mirë të vitit, u dorëzua nga Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Michael Davenport.
Në kategorinë “TV Storja më e mire”, u shpërnda gazetarëve nga Kallxo.com, Behar Mustafa dhe Valon Fana, të cilët ishin konkurrent të njëri-tjetrit, dhe në një garë të barabartë juria vlerësoi që ata do ta ndajnë çmimin.
Çmimi u nda nga Ambasadori i Bashkimit Europian në Kosovë, Tomáš Szunyog.
Si kameramani më i mirë i vitit u shpall Arben Hoti nga Radio Evropa e Lirë, me pamjet e xhiruara nga protesta e 29 majit, në Zveçan.
Pamjet e kameramanit kosovar u ritransmetuan në mediet ndërkombëtare si CNN, BBC, dhe të tjera. Çmimi u nda nga Ambasadori i German Embassy Pristina, Jörn Rohde.
“Jemi në një geto të vërtetë” – është hulumtim i Aulonë Kadriut, gazetare nga Kosovo 2.0 që e mori në kategorinë Ueb Storja më e mirë e vitit. Çmimi u nda nga Lura Limani, Drejtore Ekzekutive në Kosovo Foundation for Open Society (KFOS).
Hulumtimi disa-mujor vë në pah shkeljet e ambasadave të shteteve të Bashkimit Shengen.
Në kategorinë ”Çmimi për fuqizimin e gruas” u vlerësua me më së shumti pikë artikulli i Dardan Hotit në bashkautorësi me Aulonë Kadriun, me titull “Nëse dalin videot, unë kam mi hup krejtë“. Ky shkrim flet për abuzimet seksuale përmes pamjeve, avancimin e të drejtave të njeriut, rolin e grave në ndërtimin e paqes por edhe synon vetëdijesimi për rëndësinë e barazisë gjinore dhe fuqizimit të grave. Çmimi u nda nga Vlora Tuzi Nushi – Shefe e UN Ëomen Kosovo.
Në kategorinë “Raportimi më i mirë nga sporti”, ka triumfuar reportazhi i gazetares Vjosa Çerkini të Deutsche Ëelle, me titull “Të boksosh me politikën”. Reportazhi i dedikohet problemeve të sportistëve kosovarë për të marrë pjesë në gara ndërkombëtare sportive.
Çmimi për raportimin më të mirë rreth anti-gjipsizmit iu dha gazetarëve Besarta Hoti nga Nacionale dhe Herolind Ademi nga Klan Kosova.
Hoti u vlerësua për një seri të storieve që ka realizuar në Prizren, pas një tendence për të ndarë fëmijët në baza etnike shkaku i presionit shoqëror në shkollën “Mati Logoreci”.
Teksa, Ademi, u vlerësua për hulumtimin për zhvillimin dhe format e ndryshme të përdorimit të fëmijëve lëmoshë-kërkues në Kosovë me titull “Në vend të shkollës zgjedhin rrugën – rrëfimet e fëmijëve që punojnë në rrugë”.
Çmimi u nda nga Drejtori i Voice of Roma, Ashkali and Egyptians, Isak Skenderi.
Për raportimin më të mirë në shëndetësi, u nderua gazetarja e KOHA-s, Saranda Ramaj, me hulumtimin e realizuar për rrezikun që pacientëve kosovarë u kanoset jo vetëm nga sëmundjet për çka kërkojnë ndihmë në spital, por edhe nga infeksionet e pakontrolluara spitalore.
Çmimi u nda nga gazetarja e ABC News,njëherësh anëtare e jurisë, Esiona Konomi.
Aplikimet për Çmimet Vjetore të Gazetarisë këtë vit, u vlerësuan nga juria e përbërë prej: Arbana Xharra, gazetare, Aleksandra Jovanovic, gazetare – RTK2, Esiona Konomi – ABC News, Fatmire Terdevci- Zyra e BE-së në Kosovë, Saranda Selimi – gazetare, Alsat M – dhe fotografi veteran Hazir Reka.