Ndahen gjysmë milioni euro për projektin “Vizita në shtëpi për gratë shtatzëna dhe fëmijët” në Prishtinë
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka marrë pjesë në fillimin e programit “Vizita në shtëpi për gratë shtatzëna dhe fëmijët 0 – 3 vjeç, pjesë e të cilit projekt nga dita e mërkurë do të jetë edhe komuna e Prishtinës.
Programi i vizitave në shtëpi për kujdes ndaj nënës dhe fëmijës ka filluar program në vitin 2013 dhe realizohet nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me UNICEF-in.
Gjatë këtij takimi ministri Vitia ka shpjeguar rëndësinë e këtij projekti për të cilin Qeveria e Kosovës për herë të parë vitin e kaluar në kuadër të grantit specifik për shëndetësinë primare ka buxhetuar 3.4 milionë euro.
Nga ky grant, komuna e Prishtinës do të përfitojë rreth gjysmë milioni euro për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore.
“Ministria e Shëndetësisë e udhëheq këtë program me mbështetje logjistike nga UNICEF-i. Jam i lumtur që nga sot pjesë e projektit ‘Vizita në shtëpi për gratë shtatzëna dhe fëmijët’ 0 – 3 vjeç bëhet edhe komuna e Prishtinës e cila ofron një gamë të gjerë shërbimesh në kujdesin parësor për një numër të madh banorësh. Rëndësia e këtij projekti qëndron edhe në preventivën e sëmundjeve në moshë të hershme”, ka thënë ministri Vitia, i cili i falënderoi përzemërsisht UNICEF-in dhe qeverinë e Luksemburgut për përkrahjen e vazhdueshme në sektorin e shëndetësisë.
Ai ka theksuar se qeveria përmes komisionit të granteve ka ndarë në total në grantin për shëndetësi në komuna rreth 72 milionë euro, nga i cili grant do të përfitojë edhe komuna e Prishtinës.
“Mirëqenia dhe shëndeti i qytetarëve është fokusi ynë kryesor, është qëllimi që na bashkon të gjithëve dhe si qeveri jemi të hapur për çfarëdo lloj ndihme në të ardhmen që e përmirëson jetën e qytetarëve. Sot të gjithë bashkërisht duhet të funksionojmë si një trup i vetëm për ta çuar shëndetësinë në një nivel tjetër. Asnjë ndasi e çfarëdo natyre nuk është më e rëndësishme sesa shëndeti publik që mbetet qëllimi ynë i përbashkët”, ka thënë Vitia.
Sipas tij, sado e rënduar që të jetë gjendja në shëndetësi, energjitë tona duhet të jenë të koncentruara që shërbimet t’i avancojmë në një nivel tjetër.
Për këtë arsye, ministria Vitia tha se Ministria e Shëndetësisë në kuadër të planit strategjik brenda këtij vitit parasheh 41 milionë e 67 mijë euro për avancimin e infrastrukturës në shërbimet spitalore dhe klinike shëndetësore si një prej prioriteteve kryesore dhe të realizmit të vizionit të Qeverisë për shëndetësinë.
Të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtua edhe kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama i cili falënderoi të gjithë kontribuuesit duke thënë se ky program është shumë i rëndësishëm për kujdesin parësor, veçanërisht për foshnjat dhe gratë shtatzëna. Ai ka falënderuar edhe infermierët që janë bartësit kryesorë të këtij projekti.
Në një fjalë rasti të pranishmëve iu drejtuan edhe shefja e zyrës së UNICEF-it për Kosovë, Nona Zicherman dhe ambasadori i Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz.
Luksemburgu dhe UNICEF-i mbeten një nga donatorët kyç të shëndetësisë në Kosovë.