Ndahen komisionet parlamentare, tetë për pushtetin dhe gjashtë për opozitën

10 shkurt 2020 | 13:02

Kryesia e Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot ka ndarë komisionet parlamentare.

Me këtë rast, koalicioni LV-LDK, bashkë me minoritetet, do të udhëheqë tetë komisione nga 14 sa do të jenë gjithsej.

“Janë ndarë komisionet parlamentare sipas grupeve parlamentare”, ka bërë me dije kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani pas mbledhjes së Kryesisë.

Ajo ka thënë se pret nga grupet parlamentare, që deri të mërkurën t’i çojnë edhe emrat e anëtarëve të këtyre komisioneve, të cilat do të votohen të enjten në seancën e rregullt plenare.

Sipas ndarjes se komisioneve, Lëvizja Vetëvendosje do të udhëheqë Komisionin për Buxhet dhe Financa, Komisionin për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, dhe Komisionin për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, ndërsa LDK-ja do ta udhëheqë Komisionin për Integrime Evropiane, Komisionin për Legjislacion dhe Komisionin për Arsim, Shkencë e Teknologji, Ndërmarrësi dhe Inovacion.

PDK-ja do të udhëheqë Komisionin për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, Komisionin për Mbikëqyrje të Financave Publike dhe Komisionin për Mbikëqyrje të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.

AAK-ja do të drejtojë Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë si dhe Komisionin për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, ndërsa koalicioni Nisma-AKR do ta drejtojë Komisionin për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal.

Kurse Lista Serbe do ta drejtojë Komisionin për Të drejtat e Komuniteteve dhe Kthim, ndërsa grupi parlamentar 6 + do të udhëheqë Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës njofton të gjithë gazetarët se…