Ndahen me sukses binjaket e lindura me kokë të ngjitur
Një operacion i rrallë është realizuar në Izrael, ku dy vajza binjake, të cilat kishin lindur të ngjitura në pjesën e pasme të kokës, janë ndarë nga njëra-tjetra.
Operacioni zgjati 12 orë dhe u zhvillua në Qendrën Mjekësore Soroka në qytetin e Beersheba, javën e kaluar.
Në operacionin e binjakeve kanë marrë pjesë mjekë ekspertë nga Izraeli dhe shtete të tjera.
Për fat të mirë vogëlushet gëzojnë shëndet dhe po rikuperohen nga ndërhyrja e komplikuar.
“Po marrin frymë dhe hanë vetë,” tha Eldad Silberstein, kreu i departamentit të kirurgjisë plastike të Sorokës, për lajmet izraelite Channel 12.
Është hera e parë që një operacion i tillë kryhet në Izrael. Në total, në të gjithë botën janë kryer 20 operacione të tilla.
Vajzat e lindura në gusht 2020, pritet të bëjnë një jetë krejt normale, thonë ekspertët.