Ndahen mirënjohje për studentët fitues në garën për gjykim të simuluar
Rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Alush Musaj, dhe dekani i Fakultetit Juridik, Agron Beka, kanë ndarë mirënjohje për grupin e studentëve që kanë zënë vendin e parë në garën për gjykim të simuluar.
Gjithashtu janë nderuar me mirënjohje edhe dekani Beka dhe koordinatori i grupit të studentëve, profesor Zahir Çerkini, për këtë arritje në garën e organizuar nga “National Center for State Courts” (NCSC), në të cilën morën pjesë studentët nga 5 universitete publike në Kosovë.
Rektori Musaj, ka uruar stafin akademik dhe studentët e Fakultetit Juridik për këtë sukses. “Suksesi juaj na bën krenar të gjithëve. Ju keni dëshmuar se përkundër kushteve jo të mira, me punë mund të bëhet shumë”, ka thënë Musaj.
Krenar me arritjen e studentëve është shprehur edhe dekani i Fakultetit Juridik, Agron Beka. Ai ka thënë se nuk ka qenë e lehtë duke pasur parasysh konkurrencën e fortë që kanë qenë në këtë garë, mirëpo sipas tij me punë dhe përkushtim të studentëve dhe stafit akademik është arritur një sukses që inkurajon për të ardhmen.
Ndërsa, profesori Zahir Çerkini, i cili ka qenë koordinator i grupit të studentëve, ka thënë se studentët kanë qenë shumë të motivuar. “Studentët kanë treguar përkushtim dhe vullnet, prandaj ia kanë dalë që të na nderojnë me vendin e parë”, ka deklaruar Çerkini.
Lajmi i mirë, sipas tij, është se “Klinika” do të vazhdoj edhe për tre vjet si rezultat i suksesit që ka treguar.