Ndahen mjete për 38 federata sportive
Kryeministri Avdullah Hoti ka marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të kontratave me 38 federatat sportive të Kosovës, për ndarjen e 5 milionë eurove nga fondi për mbështetjen e sportit në kohë të pandemisë.
Në Ministrinë e Kulturës, ai u prit nga e para e këtij dikasteri, Vlora Dumoshi dhe përfaqësuesit e federatave.
Hoti tha se është i kënaqur që ka arritur t’ia ndajë këto mjete, shumë të nevojshme për këtë kohë, për sportistët kosovarë.
“Jemi në një kohë të vështirë dhe mbështetja që iu jep qeveria është obligim. Më vjen mirë që kemi arritur të ndajmë një pjesë të mbështetjes për ju”. Hoti ka kërkuar që të vazhdohet dhe të respektohen masat e IKSHPK-së nga sportistët dhe për këtë kërkoi bashkërendim.
“Më vjen mirë që është rregulluar edhe baza ligjore që federatat të kryejnë punën e tyre të pavarur. I kënaqur që jam në këtë ngjarje simbolike, ju uroj suksese klubeve sportiste”.
Ndërkaq, Dumoshi tha se duke respektuar masat sporti nuk është ndalë komplet në këtë kohë të pandemisë, si dhe që kanë bërë investime rreth 4 milionë euro për të krijuar infrastrukturë më të mirë për sportistët. “Është një lajm i mirë që përveç shumë klubeve që iu takojnë meshkujve, kemi edhe klube shumë të forta që ju takojnë edhe femrave. Ne në këtë pako s’kemi bërë dallime sepse gjithmonë ka pas këso dallime mes femrave dhe meshkujve. Ju siguroj që në këtë paketë të gjithë janë të barabartë”.