Ndahet nga jeta albanologu gjerman Vilfrid Fidler
Ka ndërruar jetë, në moshën 86 vjeçare, Vilfrid Fidler (Wilfried Fiedler), gjuhëtari i shquar gjerman, njëri nga albanologët më të rëndësishëm të kohës sonë.
Siç njofton ASHAK, i lindur në Oberfrohna të Gjermanisë në vitin 1933 prof. Fidler do të njihet herët me shqipen dhe me kulturën shqiptare dhe do t’ia përkushtojë gjithë jetën thesareve të saj. Në vitet 1951-1955 ndoqi studimet për sllavistikë dhe për filologji të tjera të Evropës Lindore dhe Juglindore në Universitetin e Humboldit në Berlin.
Pas vitit 1955 ishte bashkëpunëtor shkencor në Akademinë e Shkencave në Berlin. Bashkë me Erih Stokmanin mori pjesë në ekspeditën në Shqipëri. Nga viti 1959 ishte mësimdhënës për gjuhën, letërsinë dhe folklorin shqiptar në Berlin.
Më 1959 qëndroi për qëllime hulumtimi në Shqipëri. Më 1961 doktoroi në fushën e ballkanologjisë në Universitetin e Humboldit. Ishte bashkëpunëtor shkencor në Komisionin e gjuhësisë (1963-1967) dhe në Institutin për Gjuhët dhe Kulturën Romane në Akademinë e Shkencave të Gjermanisë në Berlin (1967-19 68). Bashkë me Oda Buholcin (Buchholz) drejtoi grupin hulumtues për ballkanistikë në kuadër të Institutit Qendror të Gjuhësisë të Akademisë së Shkencave në Republikës Demokratike të Gjermanisë në Berlin (1968-1988).
Më 1988 mbrojti tezën e habilitacionit në fushën e albanologjisë në Universitetin e Humboldit. Prej vitit 1989 dhe deri më 1998 ishte profesor i albanologjisë në Universitetin “Ludwig-Maximilian” në Munih. Më 1991 u zgjodh anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK). Veçohet gramatika deskriptive për gjuhën shqipe, të cilën e shkroi në bashkëpunim me Oda Buholcin (“Albanische Grammatik”, Leipzig 1987)./AlsatM