
Ndahet nga jeta intelektuali dhe veprimtari i shquar i Junikut, Agim Maka
Ka vdekur në moshën 69 vjeçare, një prej figurave më të shquara intelektuale dhe politike të Junikut, Agim Maka.
I cili ishte një emër i njohur dhe i respektuar për të gjithë ata që e njohën nga afër dhe e vlerësuan përkushtimin e tij në shërbim të çështjes kombëtare dhe të zhvillimit të komunitetit.
Në fillim të viteve ’90, në kohën kur Kosova përballej me sfida të mëdha historike, Agim Maka mori përsipër një detyrë të rëndë dhe të nderuar: ai u zgjodh kryetar i parë i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Junik, duke u bërë një prej zërave më të rëndësishëm të lëvizjes për liri dhe pavarësi në këtë trevë.
Me qetësinë, mençurinë dhe maturinë që e karakterizonte, ai ishte ndër figurat kyçe në organizimin politik dhe shoqëror të Junikut në periudhën më të vështirë të rezistencës. Kontributi i tij ishte jetik në mobilizimin qytetar dhe në mbajtjen gjallë të shpresës për një të ardhme më të mirë.
Pasluftës, Agim Maka vazhdoi angazhimin e tij institucional duke shërbyer si Perfekt i Komunës së Deçanit, një funksion që e ushtroi me përkushtim, ndershmëri dhe profesionalizëm të rrallë. Në çdo detyrë që mori, Agimi dëshmoi integritet, vizion dhe dashuri për vendin dhe njerëzit e tij.
Humbja e tij lë një boshllëk të madh jo vetëm në familjen Maka dhe rrethin e ngushtë të miqve e bashkëpunëtorëve, por edhe në të gjithë komunitetin e Junikut, Deçanit dhe më gjerë. Varrimi i tij bëhet në ora 16:00 në varrezat e lagjes Gacafer.
Në shenjë respekti për jetën dhe veprën e tij të pasur, Komuna e Junikut organizon sot, më 29 prill 2025, në ora 12:00, një mbledhje komemorative në Sallën e Asamblesë Komunale në Junik.