Ndalen trenat në Francë, vazhdojnë protestat kundër reformave në pensione
Shumica e trenave u ndalën, rafineritë e naftës u bllokuan dhe prodhimi i energjisë u reduktua të martën në Francë, ndërsa sindikatat organizuan ditën e gjashtë të grevave mbarëkombëtare kundër planit për reforma në pensione të presidentit Emmanuel Macron.
Plani i Macronit për të rritur moshën e pensionimit nga 62 në 64 vjeç është reforma e tij më e madhe gjatë mandatit të dytë presidencial.
Pas thirrjeve të përsëritura që Qeveria e Francës të heqë dorë nga ky plan, sindikalistët kanë paralajmëruar përshkallëzim të situatës.
Gjithashtu është paralajmëruar edhe mbyllja e shkollave.
Më shumë se një milion njerëz pritet të protestojnë në Paris dhe në qytetet tjera.
“Së bashku… le ta ndalim Francën!”, thanë sindikatat kryesore të vendit në një deklaratë të përbashkët.
Kjo është hera e parë që nga viti 2010 që të gjitha sindikatat i bashkojnë forcat kundër një reforme të planifikuar.
Franca ka moshën më të ulët të kualifikimit për pension shtetëror në mesin e ekonomive më të mëdha evropiane.
Pensioni mesatar është 1.400 euro në muaj, pasi të zbriten taksat.
Qeveria ka thënë se ndryshimet janë të nevojshme për të garantuar të ardhmen e financimit të sistemit pensional, që pritet të kalojë në deficit në vitet e ardhshme – për shkak të plakjes së popullsisë.