Ndalet furnizimi me gaz nga Rusia për Gjermaninë dhe Francën
Nord Stream 1 nuk sjell më gaz në Gjermani, sepse nga sot kryhen punime tek gazsjellësi që i sjell gaz drejtpërdrejt Gjermanisë. Punimet e gazsjellësit lidhen me një turbinë të Siemensit, e cila duhet të vinte nga Kanadaja, dhe që vetëm në fundjavë mori dritën jeshile për transport. Kanadaja hezitonte me dhënien e lejes për turbinën e gazsjellësit, sepse dhënia e turbinës do të shkelte sanksionet kundër Gazpromit. Por në fundjavë qeveria në Otava dha një leje të kufizuar, që u përshëndet nga kancelari Scholz.
Turbina e Siemensit do të dërgohet në Gjermani fillimisht, e pastaj ajo do të instalohet tek gazsjellësi. Ukraina u shpreh e zhgënjyer për këtë përjashtim nga sanksionet, duke përmendur, se kur vjen puna tek gazi, solidariteti europian shkon në limit. Por ministri kanadez për burimet natyrore, Jonathan Wilkinson,tha se pa furnizimin me gaz, gjermanët kanë rrezik të mos ngrohin dot shtëpitë e tyre në dimër, prandaj Kanadaja po e jep lejen.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz është i mendimit, se masat kundër ngushticave të furnizimit me gaz do të jenë të nevojshme edhe përtej dimrit që vjen. Në një mesazh me video politikani i SPD-së u shpreh se “këto ditë na preokupon siguria e furnizimit me energji. Kjo do të na preokupojë ende në javët e ardhshme, muajt dhe vitet e ardhshme.”
Ky nuk është paralajmërimi i parë i kancelarit gjerman këtë javë. Të hënën e kaluar Olaf Scholz i përgatiti gjermanët për një krizë të zgjatur me çmime të larta. Në videomesazhin e fundjavës ai theksoi se qeveria gjermane brenda një kohe shumë të shkurtër ka marrë shumë vendime që Gjermania të jetë e përgatitur mirë. “Ne po ndërtojmë përçues, terminale të gazit të lëngshëm. Ne kujdesemi që depot e gazit të mbushen. Ne kujdesemi që të përdoren centralet e qymyrit, që të kursejmë gazin.”
Ndërsa ministri francez i Financave, Bruno Le Maire, tha se qeveria është e përgatitur për një shkëputje totale nga furnizimi me gaz nga Rusia, gjë të cilën e sheh si skenarin më të mundshëm për në vazhdim. Rreth 17 për qind e furnizimeve me gaz në Francë vijnë nga Rusia.
Që prej nisjes së luftës në Ukrainë, vendet europiane kanë rritur importet me gaz natyror nga vendet e tjera, larg nga Moska. Por qeveria e Parisit duket se nuk ka mundur të shkëpusë varësinë nga Rusia. Qendra Finlandeze për Studime mbi Energjinë dhe Ajrin e Pastër, thotë se Franca blen ende sasi të mëdha të gazit të lëngshëm natyror nga Rusia.