Ndalohen 20 persona lidhur me procesin zgjedhor

06 tetor 2019 | 18:53

Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje, Laura Pula, ka njoftuar se gjatë procesit zgjedhor që është duke u zhvilluar sot, deri më tani janë raportuar disa raste të ndryshme por, pas verifikimit të të gjitha këtyre informatave nga prokurorët në terren, janë vërtetuar 16 raste me 20 persona të cilët lidhen me procesin zgjedhor.

Sipas saj, në rajonin e Prizrenit janë pesë raste me pesë persona, ku të gjithë janë të ndaluar për veprën penale “Cenim i fshehtësisë së votimit” nga neni 215.

Ndërkaq në rajonin e Pejës një rast me dy persona të ndaluar për veprën penale “Keqpërdorim i të drejtës së votimit” nga neni 213. “Në rajonin e Gjakovës i kemi gjashtë raste kundër gjashtë personave, pesë persona janë të ndaluar dhe një person në kërkim, për veprat penale “Pengimi i procesit të votimit” nga neni 214, ‘Cenim i fshehtësisë së votimit’ nga neni 215, dhe për veprën ‘Asgjësimi i dokumenteve të votimit’ nga neni 217. Në rajonin e Gjilanit kemi një rast me një person të ndaluar për veprën penale “Parandalim i ushtrimit të së drejtës për të votuar” nga neni 209. Në rajonin e Mitrovicës i kemi dy raste me pesë persona të ndaluar, prej të cilëve dy për veprën penale ‘Keqpërdorim i detyrës zyrtare gjatë zgjedhjeve’ nga neni 211, si dhe tre për veprën penale ‘Pengimi i procesit të votimit’ nga neni 214”, ka thënë Laura Pula.

Kurse sipas saj, në rajonin e Ferizajt është një rast me një person të ndaluar për veprën penale “Pengimi i procesit të votimit” nga neni 214.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në sallën “1 Tetori” në Prishtinë ka votuar edhe kaligrafisti…