Ndalohen 4 persona në Stubëll të Gjakovës pasi iu gjetën mbi 5 kg marihuanë
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ndaluar katër persona të cilëve iu janë konfiskuar 5 kilogramë e 571 gramë, substancë të dyshuar narkotike të llojit ”Marihuanë”, raporton Gazeta Sinjali.
Pokuroria themelore në Gjakovë, ka njoftuar se “Policia e Kosovës, Njësia për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Gjakovë me kërkesë të Prokurorit të Shtetit dhe me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Gjakovë, kanë realizuar bastisje në shtëpitë dhe objektet përcjellëse të dyshuarve E.I, J.I, E.I., dhe Rr. Sh. , në fshatin Stubëlll, Komuna e Gjakovës, me dyshimin se në shtëpitë e tyre gjenden substanca të dyshuara narkotike të llojit marihuanë”.
Gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar:
- Substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, me peshë 5 kilogramë e 571 gramë,
Një (1) pushkë gjuetie
- Pesë (5) fishekë
- Një (1) granatë dore
Me urdhër të prokurorit, të dyshuarit gjenden në ndalim në kohëzgjatje prej 48 orësh, nën dyshimin e bazuar se kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” dhe “Armëmbajtje pa leje”.