Ndalohen 52 emigrantë në kufirin Hungari-Serbi
Të mërkurën në mbrëmje pranë kufirit të Hungarisë me Serbinë, policia hungareze gjeti një grup prej 52 emigrantësh. Ata u dërguan në një qendër ndalimi për azilkërkues, transmeton Radio Televizioni i Serbisë.
Emigrantët nuk posedonin dokumente personale por që të gjithë e kanë deklaruar veten me origjinë afgane.
Vendet e Ballkanit Perëndimor shumë shpesh janë përdorur si tranzit për të kaluar në Evropë nga emigrantët e Lindjes së Mesme.
Për të mbajtur nën kontroll çështjen e emigrantëve, Bashkimi Evropian ka nënshkruar marrëveshje për ndihmë të kontrollit kufitar me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Malin e Zi.
Ditë më parë pesëdhjetë oficerë, 16 makina patrullimi dhe një furgon që vijnë nga 12 vende anëtare të BE-së janë vendosur përgjatë kufirit Shqipëri-Greqi.