Ndalohen lutjet në xhamitë e Turqisë
Turqia do t’i mbyllë përkohësisht kafenetë, palestrat sportive dhe argëtuese dhe do t’i pezullojë lutjet masive në xhami në përpjekje për ta parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Turqia ka konfirmuar 18 raste me koronavisurin e ri, thanë autoritetet.
Ankaraja, gjithashtu, zgjati një ndalim fluturimi për gjashtë vende të tjera, përfshirë Britaninë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vendeve në 20, tha ministri i Shëndetësisë.
Autoritetet nuk njoftuan sa do të zgjasë kjo masë.
Të mërkurën e kaluar Turqia u bë ekonomia e fundit e madhe që raportoi një shpërthim të koronavirusit. Që atëherë, qeveria ka marrë masa për ta ndaluar përhapjen e virusit përmes mbylljes së shkollave dhe universiteteve, mbajtjen e ngjarjeve sportive pa spektatorë dhe ndalimin e fluturimeve në shumë vende./REL