Ndalohen për 48 orë dy të dyshuarat për rrahjen e 3-vjeçarit në kopshtin në Fushë Kosovë
Policia e Kosovës ka njoftuar se janë ndaluar për 48 orë dy të dyshuara për rrahjen e 3-vjeçarit në kopshtin “Gëzimi ynë” në Fushë-Kosovë.
Përmes një komunikate për media, Policia ka bërë të ditur se të arrestuarat janë një 64-vjeçare me inicialet N.M dhe një 56-vjeçare me inicialet N.H, teksa ato dyshohen për veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.
“Pas përfundimit të fazës preliminare të veprimeve hetimore, me rekomandimin e prokurorit të shtetit, policia inicioi një hetim në drejtim të veprës penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, dhe me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit ndaj të dyshuarave N. M, femër, 64 vjeç, shtetase e Republikës së Kosovës, si dhe N. H, femër, 56 vjeç, shtetase Republikës së Kosovës, u shqiptua masa e ndalimit prej 48 orësh. Drejtoria Rajonale e Policisë së Prishtinës është informuar lidhur me shqetësimet e ngritura në publik pas pamjeve të publikuara ndërlidhur me pretendimet për sjellje të papërshtatshme, në kundërshtim me etiken, apo me nuanca dhune, nga ana e disa edukatoreve në një kopsht fëmijësh në Fushë Kosovë” ka njoftuar policia.