Ndalohen rreth 35 mijë litra vajra motorike jo-cilësore

28 janar 2022 | 16:31

Inspektorati i Tregut në zbatim të Vendimit të Ministres së MINT për vajrat motorike, kanë marrë mostra të vajrave motorike në terminalet doganore dhe në tregun e brendshëm dhe të njëjtat janë testuar në laboratorët e akredituar.

Siç thuhet në njoftimin e Ministrisë së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, në bazë të raporteve të testimit të mostrave të marra në terminalet doganore ka rezultuar që 34 mijë e 600 litra vajra motorike me brende të ndryshme, janë në kundërshtim me Vendimin e MINT, prandaj të njëjtat janë kthyer në vendin e origjinës.

Tutje thuhet se vajrat motorike të cilat nuk janë lejuar të vendosen në tregun e brendshëm janë kryesisht me origjinë nga Serbia dhe pjesa tjetër nga Turqia dhe vendet e tjera.

“Inspektorati i Tregut gjithashtu gjatë kontrollimit në tregun e brendshëm të Republikës së Kosovës, ka sekuestruar 2,270.00 L (dymijë e dyqind e shtatëdhjetë litra), vajra motorike të cilat janë vendosur në treg pa dokumentacion mbi prejardhje/origjinë, si dhe në rastet kur vajrat motorike janë testuar në laboratori dhe me këtë rast ka rezultuar që ka mospërputhje të përbërjes dhe sasisë të deklaruar në etiketën e produktit”, njofton MINT.

“E ritheksojmë që procesi i marrjes së mostrave, testimit dhe verifikimit në laborator të akredituar është pa asnjë kosto financiare për bizneset. MINT respektivisht Inspektorati i Tregut garanton konsumatorët dhe bizneset e përgjegjshme që nuk do të lejohen të qarkullojnë në tregun e brendshëm të Republikës së Kosovës, asnjë produkt që nuk i plotëson kërkesat ligjore, e gjithë kjo në interes të mbrojtjes së konsumatorit, vendosjes së produkteve cilësore në treg si dhe mbrojtjes së konkurrencës së drejtë në treg”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komiteti Olimpik i Kosovës ka publikuar listën për kategorizim të…