Ndalohet një serb në veri, dyshohet se ka lidhje me “Llunen” kreun e “Mbrojtjes Civile”
Policia e Kosovës ka ndaluar të enjten një qytetar të nacionalitetit serb në pikën e kontrollit policor në Urën e Bistricës, përkatësisht në drejtim të rrugës që të çon nga Zveçani në Leposaviq – komuna të banuara me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës.
Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëvendës-drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani, i cili ka bërë me dije se personi në fjalë është ndaluar me urdhër të Prokurorisë Speciale, ndërsa i njëjti është dërguar për intervistim në jug.
Gjithashtu, bëhet me dije se i dyshuari ka lidhje me serbin e arrestuar për terrorizëm, Milun “Llune” Milenkoviç, i cili është kreu i formacionit paramilitar “Mbrojtja Civile” dhe i cili dyshohet se ka qenë organizatori kryesor i sulmeve ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit.
Mediet serbe kanë raportuar jo-zyrtarisht se i dyshuari quhet Aleksandër Alagiç, 26 vjeçar, i cili aktualisht drejton palestrën që deri vonë drejtohej nga “Llune” – prijësi i kahershëm i bandave kriminale në veri të Kosovës, i cili është arrestuar më 13 qershor për terrorizëm.