Ndalohet për 48 orë i dyshuari që goditi për vdekje këmbësorin në Gjilan
Prokuroria Themelore në Gjilan, ka ndaluar një person me iniciale E.O., në kohëzgjatje prej 48 orëve pasi që i njëjti dyshohet se mbrëmë rreth orës 20:00 me veturën e tij ka goditur për vdekje një këmbësor.
“Dyshohet se i pandehuri E.O., më 15 gusht 2024, rreth orës 20:00, në Gjilan, ka shkaktuar aksident trafiku me fatalitet, në atë mënyrë që gjatë drejtimit të automjetit të tij, duke mos respektuar këmbësorin – tani të ndjerin Sh.S., i cili ka qenë duke trupuar rrugën në vendkalimin e këmbësorëve, me pjesën e parë të automjetit e ka goditur të njëjtin, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, i cili fillimisht është dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin Regjional në Gjilan, pastaj është transferuar në QKUK, në Prishtinë, ku edhe ka ndërruar jetë”, thuhet në komunikatë.
I pandehuri E.O., gjendet në masën e ndalimit dhe ndaj të njëjtit do të ndërmerren veprimet e mëtejme ligjore.