Ndalohet qarkullimi me vetura në Gërmi
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, me një urdhëresë ka ndaluar qarkullimin e veturave drejt Gërmisë më 1 maj.
Prishtinasit e kanë traditë që në Ditën Ndërkombëtare të Punës të mblidhen në Gërmi, por atje sipas urdhëresës së kryetarit të komunës do t’i çojnë vetëm autobusët e Trafikut Urban.
“Transporti publik i qytetarëve për në Parkun “Gërmia” deri te pishina, do të bëhet ekskluzivisht me autobusë të NPL ‘Trafiku Urban’, linja 4”, thuhet në njoftimin e komunës.
Njoftimi sqaron se do të merren masa edhe ndaj atyre që shesin dhe ofrojnë shërbime pa autorizim.
Komuna gjithashtu bën me dije se do të organizojë kujdestari për të mos lejuar dëmtimin e ambientit nga ata që shkojnë sot në Gërmi.
Përjashtim nga ndalimi i veturave në Gërmi bëjnë automjetet e KFOR-it, policisë, EULEX-it, emergjencës, Trafikut Urban, “Hortikulturës”, “Pastrimit”, Drejtorisë së Inspeksionit.
Lejim të qarkullimit drejt Gërmisë do të kenë edhe banorët e asaj zone dhe punonjësit e lokaleve.