Ndërkombëtarët bëjnë thirrje për mënjanim të politikës në kohë të koronavirusit
Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Natalia Apostolova, shefat e misioneve të BE-së, ambasadorët e Mbretërisë së Bashkuar, Zvicrës, Norvegjisë, shefi i EULEX-it dhe koordinatori për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara, kanë bërë thirrje për lënien mënjanë të politikës në kohën e shpërthimit të koronavirusit në Kosovë.
Ata po ashtu u kanë bërë thirrje udhëheqësve politikë që të përmbahen nga politizimi i ndihmës së vlefshme dhe të nevojshme ndërkombëtare.
“Në krizën e paprecedent shëndetësore të COVID-19, ju, populli i Kosovës, po tregoni qëndrueshmëri dhe përgjegjësi. Ndërkohë që të gjithë jemi të pritje të kthimit të planifikuar me kujdes në normalitet, sa më shpejt që të jetë e mundur, këmbëngulja juaj mbetet e domosdoshme për ta zvogëluar ndikimin e shpërthimit dhe për të parandaluar një krizë edhe më të rëndë. Përballë kësaj pandemie globale, politika duhet të lihet mënjanë dhe aktorët politikë duhet të punojnë së bashku për të siguruar që qytetarët, pa asnjë dallim, të marrin ndihmën e nevojshme mjekësore dhe mbështetjen ekonomike.
“Bashkëpunimi ndërkombëtar dhe rajonal mund vetëm ta përmirësojnë këtë përpjekje; të gjitha nismat e bashkëpunimit rajonal duhet të shihen pozitivisht. U bëjmë thirrje udhëheqësve politikë dhe institucionalë në Kosovë që t’i mbështesin të gjitha përpjekjet kombëtare dhe ndërkombëtare për zbutjen e ndikimit social dhe ekonomik të koronavirusit dhe të përmbahen nga politizimi i ndihmës së vlefshme dhe të nevojshme ndërkombëtare”, thuhet në këtë deklaratë të përbashkët.
/Epoka e re/