Ndërkombëtarët kanë dështuar për hapjen e urës së Ibrit
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka akuzuar ndërkombëtarët se kanë dështuar për hapjen e urës së lumit Ibër.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se kjo urë qëllimisht nuk është hapur për lëvizje.
Sipas tij, kjo çështje do të bëhet pjesë e negociatave të Brukselit për ta kushtëzuar Kosovën me praninë e ndonjë marrëveshje me Serbinë.
Bahtiri ka thënë se Kosova në këtë proces nuk duhet ta pranojë asnjë kushtëzim, derisa e ka ftuar spektrin politik të arrijë një konsensus kombëtar për fazën finale të dialogut Kosovë – Serbi.
“Bashkësia ndërkombëtare ka dështuar totalisht për hapjen e urës dhe për zbatimin e marrëveshjes për këtë çështje që është arritur në Bruksel. Dështimi i saje neve na ka shtyrë edhe më shumë ta fillojmë iniciativën tonë për bashkimin e qytetit”, ka thënë Bahtiri.
Në këtë intervistë Bahtiri ka folur edhe për iniciativën për bashkimin e dy komunave në një të vetme.
Ai ka treguar se nëse Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAP) e konsideron këtë iniciativë të kundërligjshme atëherë do ta fillojë mbledhjen e nënshkrimeve për t’iu drejtuar Kuvendit të Kosovës.
“Kjo është një iniciativë e bazuar në vullnetin e qytetarëve të kësaj komunë, prandaj institucionet tona duhet ta respektojnë atë. Unë jam së bashku me qytetarët dhe e dëgjoj zërin e tyre. Nëse kjo nuk kalon në MAPL, atëherë do t’u drejtohem qytetarëve të Mitrovicës që t’i mbledhim mbi 10 mijë nënshkrime dhe t’i drejtohemi Kuvendit të Kosovës për këtë iniciativë ligjore”, është shprehur kryetari Bahtiri.
(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)