Ndërkombëtarët kanë dështuar për hapjen e urës së Ibrit

07 dhjetor 2018 | 12:47

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka kritikuar bashkësinë ndërkombëtare për neglizhencë për moshapjen e urës mbi lumin Ibër.

Ai ka deklaruar se bashkësia ndërkombëtare ka dështuar për hapjen e kësaj ure për lëvizje.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Bahtiri ka treguar se edhe ky mosveprim i ndërkombëtarëve ka ndikuar në nisjen e iniciativës së tij për bashkimin e Komunës së Mitrovicës Veriore me atë Jugore.

“Bashkësia ndërkombëtare ka dështuar totalisht për hapjen e urës dhe për zbatimin e marrëveshjes për këtë çështje që është arritur në Bruksel. Dështimi i saje neve na ka shtyrë edhe më shumë ta fillojmë iniciativën tonë për bashkimin e qytetit”, ka thënë Bahtiri.

Ai ka bërë me dije se ura e Ibrit nuk është hapur me qëllim që kjo çështje të bëhet pjesë e negociatave të Brukselit në fazën finale të dialogut Kosovë-Serbi.

Sipas Bahtirit, kjo bëhet për ta kushtëzuar Kosovën në këtë proces të dialogut.

“Brukseli dëshiron që në dorën e tyre ta ketë një çelës që kushtëzon Kosovën për një marrëveshje të mundshme në këtë fazë të dialogut. Liberalizimin e vizave, Interpolin, hapjen e urës, rrymën dhe të gjitha çështjet e tjera që lidhen me këtë proces të dialogut, bashkësia ndërkombëtare dëshiron t’i ketë si një çelës në dorë për ta kushtëzuar Kosovën që ta pranojë një kompromis”, ka thënë Bahtiri, duke shtuar se Kosova në këtë proces në asnjë mënyrë nuk duhet t’i pranojë kushtëzimet. “Unë po ju them në mënyrë të qartë se asnjëherë, në asnjë mënyrë, ne nuk do ta pranojmë ndarjen e Kosovës e as prekjen e asnjë pëllëmbe të territorit të Kosovës”, është shprehur ai.

I pari i Mitrovicës e ka ftuar spektrin politik që të arrijë një konsensus rreth dialogut me Serbinë.

Sipas Bahtirit, kushdo që pranon ndarjen e Mitrovicës do të jetë i fundosur politikisht.

Në këtë intervistë Bahtiri ka folur edhe për iniciativën për bashkimin e dy komunave në një të vetme.

Ai ka treguar se nëse Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAP) e konsideron këtë iniciativë të kundërligjshme atëherë do ta fillojë mbledhjen e nënshkrimeve për t’iu drejtuar Kuvendit të Kosovës.

“Kjo është një iniciativë e bazuar në vullnetin e qytetarëve të kësaj komune, prandaj institucionet tona duhet ta respektojnë atë. Unë jam së bashku me qytetarët dhe e dëgjoj zërin e tyre. Nëse kjo nuk kalon në MAPL, atëherë do t’u drejtohem qytetarëve të Mitrovicës që t’i mbledhim mbi 10 mijë nënshkrime dhe t’i drejtohemi Kuvendit të Kosovës për këtë iniciativë ligjore”, është shprehur kryetari Bahtiri.

“Epoka e re”: Z. Bahtiri, pse pikërisht tani Kuvendi i Komunës së Mitrovicës ka kërkuar nga Qeveria ta iniciojë ndryshimin e ligjit për kufijtë administrativë të komunave, me qëllim të bashkimit të qytetit të Mitrovicës në një komunë?
Bahtiri: Qytetarët e kësaj komune më kanë kërkuar ta bëj një gjë të tillë. Ata e kanë vlerësuar nevojën që pjesa veriore të kthehet nën menaxhimin e Mitrovicës ashtu siç ka qenë më herët. Pra, mua më kanë shtyrë qytetarët ta ndërmarr këtë iniciativë. Po ashtu, e kemi marrë këtë veprim edhe duke parë situatën aktuale e cila mbretëron në pjesën veriore të Mitrovicës.

“Epoka e re”: E keni dorëzuar këtë kërkesë të kësaj iniciative në Qeveri?
Bahtiri: Jo, ende nuk e kemi dorëzuar në Qeveri, sepse ajo tani shkon në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, pastaj kjo ministri na kthen një përgjigje nëse kërkesa jonë është e ligjshme apo e paligjshme. Pastaj Kuvendi Komunal më obligon mua ta dorëzoj në Qeverinë e Republikës së Kosovës këtë iniciativë.

“Epoka e re”: Çfarë nëse MAPL-ja ju kthen përgjigje negative duke jua vlerësuar të kundërligjshme iniciativën. Do ta respektoni qëndrimin e ministrisë?
Bahtiri: Mendoj se kjo është një iniciativë e ligjshme dhe normale. Kjo është një iniciativë e bazuar në vullnetin e qytetarëve të kësaj komune, prandaj institucionet tona duhet ta respektojnë atë. Unë jam së bashku me qytetarët dhe e dëgjoj zërin e tyre. Nëse kjo nuk kalon në MAPL, do t’u drejtohem qytetarëve të Mitrovicës që t’i mbledhim mbi 10 mijë nënshkrime dhe t’i drejtohemi Kuvendit të Kosovës për këtë iniciativë ligjore.

“Epoka e re”: Në opinionin publik jeni kritikuar për këtë iniciativë, duke pretenduar se një veprim i tillë mund të nxisë tensione në atë pjesë të vendit?
Bahtiri: Përkundrazi, tensione mund të sjellin marrëveshjet e fshehta që janë duke u bërë. Tani është koha e duhur që të kërkohet bashkimi i Mitrovicës. Nëse institucionet më të larta të Kosovës nuk e kuptojnë këtë e kanë shumë gabim. Prandaj unë nuk marrë asnjë iniciativë pa e menduar mirë dhe pa e planifikuar mirë. Po ju them juve dhe gjithë të tjerëve, se kjo iniciativë do të shkojë deri në fund dhe qyteti i ndarë i Mitrovicës do të bashkohet ashtu siç ka qenë.

“Epoka e re”: Derisa po pretendoni bashkimin e dy komunave, ende nuk është hapur ura mbi lumin Ibër, e cila ishte planifikuar të ndodhë këtë vit?
Bahtiri: Bashkësia ndërkombëtare ka dështuar totalisht për hapjen e urës dhe për zbatimin e marrëveshjes për këtë çështje që është arritur në Bruksel. Dështimi i saj neve na ka shtyrë edhe më shumë që ta fillojmë iniciativën tonë për bashkimin e qytetit. Nuk ka të drejtë askush ta ndalojë hapjen e urës e cila i lidh dy pjesët e qytetit. Hapja e urës është lehtësim për qytetarët e të dy pjesëve të qytetit dhe çdokush që e ndalon këtë, bën veprim jo të drejtë. Prandaj bashkësia ndërkombëtare është fajtorja kryesore për moshapjen e kësaj ure. Si përgjigje ndaj kësaj ne kemi marrë iniciativën tonë që Komuna Veriore e Mitrovicës t’i bashkohet Komunës Jugore dhe ta bashkojmë qytetin. Meqenëse bashkësia ndërkombëtare e neglizhon kaq shumë kryetarin e Mitrovicës së Jugut, po ju qartë ndërkombëtarëve dhe vendorëve se unë do t’ia dal.

“Epoka e re”: Pse mendoni se ndërkombëtarët po e neglizhojnë hapjen e urës? A do të thotë kjo se këtë çështje po duan ta bëjnë pjesë të negociatave për fazën finale të dialogut në Bruksel?
Bahtiri: Brukseli dëshiron që në dorën e vet ta ketë një çelës që kushtëzon Kosovën për një marrëveshje të mundshme në këtë fazë të dialogut. Liberalizimin e vizave, Interpolin, hapjen e urës, rrymën dhe të gjitha çështjet e tjera që lidhen me këtë proces të dialogut, bashkësia ndërkombëtare dëshiron t’i ketë në dorë për ta kushtëzuar Kosovën që ta pranojë një kompromis. Mirëpo, asnjëherë, në asnjë mënyrë, ne nuk do ta pranojmë ndarjen e Kosovës e as prekjen e asnjë pëllëmbe të territorit të Kosovës. Ai që mendon se kjo do të ndodhë, është jashtë procesit dhe do të jetë jashtë proceseve çdoherë.

“Epoka e re”: Spektri politik në vend ende nuk po arrin ta gjejë një konsensus për fazën finale të dialogut. Cili është qëndrimi juaj për këtë?
Bahtiri: Të gjitha iniciativat e deritashme për këtë synim kanë qenë joreale. U bëj ftesë të gjitha partive politike, qoftë atyre në pushet apo atyre në opozitë, që të bëhen bashkë për t’i dalë zot Kosovës në këtë proces. Ajo që po ndodh sot në Kuvendin e Kosovës, por edhe jashtë Kuvendit, nuk bën të ndodhë më. Duhet të jemi unikë që në këtë proces t’i themi stop hegjemonizmit serb ndaj Kosovës. Ne në Kosovë jemi denbabaden dhe serbët kanë ardhur këtu, e jo ne. Prandaj ne nuk do të lejojmë që asnjë pëllëmbë e Kosovës të diskutohet në Bruksel. Kërkoj nga institucionet e Kosovës dhe krerët partiakë që të bashkohen për platformën e dialogut. Po në këtë proces duhet të jenë njerëz të përgjegjshëm dhe të devotshëm që të mos lejojnë në asnjë mënyrë ndryshimin e kufijve.

“Epoka e re”: Pra, besoni se në këtë proces Kosova mund të dalë mirë vetëm si e bashkuar?
Bahtiri: Sigurisht se bashkimi i spektrit politik për këtë fazë të dialogut do ta bëjë më të fuqishëm Kosovën në këtë proces. Bashkimi bën fuqinë, dhe ne duhet ta bëjmë këtë. Çdokush që mendon ta ndajë Kosovën duhet ta dijë shumë mirë se Mitrovica do të jetë tërmeti kryesor i çdokujt që e ka nisur atë iniciativë. Qytetarët e Mitrovicës e dinë çka është ndarja, ata e dinë se çka është të jesh refugjat në qytetin e vet, ngase ata nuk mund të shkojnë në shtëpitë e tyre që 20 vjet. Ndarja e Mitrovicës do ta fundoste çdokënd, çdo politikan që do ta fillonte këtë proces.

Muhamet KOCI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ka thënë se shtyrja e liberalizimit të…