Ndërkombëtarët vlerësojnë punën që është bërë në menaxhimin e migrimit
Ministria e Punëve të Brendshme ka mbajtur të enjten konferencën zyrtare në përmbylljen e projektit të binjakëzimit të Bashkimit Evropian: “Fuqizimi i institucioneve të Kosovës në menaxhimin efektiv të migrimit”.
Më këtë rast, ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, ka vlerësuar lartë kontributin e dhënë nga Bashkimin Evropian dhe shtetet zbatuese të këtij projekti. “Projekti i Binjakëzimit i Bashkimit Evropian sikurse edhe të gjitha projektet tjera të binjakëzimit, ndër të tjera ka një synim fuqizimin e kapaciteteve institucionale me një impakt afatgjatë”, ka pohuar ministri Mustafa, duke shtuar se Republika e Kosovës është e përkushtuar drejt zhvillimit të strukturuar dhe nuk ka asnjë kompromis kur bëhet fjalë në orientimin e qartë për implementimin e kërkesave që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit.
Ministri Mustafa ka theksuar se kur bëhet fjalë për riintegrimin e të kthyerve në Republikën e Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme, respektivisht Drejtoria përkatëse ka zhvilluar sistemin për monitorim, janë hartuar hartat e procesit, si dhe është zhvilluar plani i trajtimit. “Duhet përmendur si një shembull të suksesit, pilot-projektin e shkëmbimit të informatave ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë Suedeze në fushën e kthimit dhe riintegrimit të të kthyerve”, ka thënë ministri Mustafa.
Ndërsa zëvendësshefi i Zyrës se BE-së/PPBE, Riccardo Serri, ka thënë se projekti i binjakëzimit jo vetëm që demonstron përkushtimin e BE-së për të vazhduar partneritetin me Kosovën, në procesin e ndërtimit të kapaciteteve në fushën e menaxhimit të migrimit, po gjithashtu ka për qëllim të përfshihet drejtpërdrejt me qytetarët e Kosovës. “Të arriturat në këtë projekt janë vetëm një hap më tutje në bashkëpunimin në mes të Kosovës dhe BE-së në përmbushjen e obligimeve të dala nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit”, ka thënë Serri.
Ambasadorja e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Gerrie Willems, ka theksuar se është bërë një punë e madhe në menaxhim të migrimit, kjo është bërë në formë të fletushkave të informimit, procedura të operimit standard, duke vlerësuar se është kruciale që këto dokumente dhe akte tjera ligjore të aprovohen dhe të implementohen plotësisht.
Qëllimi i projektit ka qenë fuqizimi i kapaciteteve të institucioneve relevante të Kosovës në menaxhimin efektiv te migrimit si dhe harmonizimin e politikave dhe legjislacionit në përputhje me standardet e BE-së.
Ky projekti është financuar nga BE-ja dhe është zbatuar nga Holanda me partnerët kryesorë Suedinë dhe Austrinë, ndërsa partnerë tjerë kanë qenë Letonia, Polonia dhe Belgjika.
/Epoka e re/