​Nderohen dëshmorët, Ramosaj: Deçani dha djem e vajza të devotshëm për lirinë e Kosovës

05 maj 2024 | 13:34

Në kuadër të Ditës së dëshmorëve dhe martirëve të kombit në Komunën e Deçanit, kryetari i Komunës, Bashkim Ramosaj, ka thënë kjo komunë dha njerëz të devotshëm për lirinë e Kosovës, prandaj sipas tij, është obligim qytetar për një zhvillim ekonomik të Deçanit dhe Kosovës.

Në seancën solemne në përkujtim të heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit nga kjo komunë, kryetari Ramosaj, është shprehur se pa sakrificën e dëshmorëve, Kosova nuk do ta kishte lirinë dhe nuk do të ishte shtet.

“Neve na bënë shumë nder, sepse jemi të kësaj komune, e kjo komunë ka pasur shumë njerëz të devotshëm në këtë përkushtim, dhe ka pasur njerëz të gatshëm për të vdekur për këtë vend. Pa këto rënie heroike, pa këtë çmim, nuk kishim ardhur deri tek liria, nuk kishim mundur as me e pas shtetin”, ka thënë Ramosaj për “KP”.

Ndërsa kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se e vetmja mënyrë që të garantojnë ekzistencën e paprekshme është që Kosova të hyjë në NATO.

“Në hartën e lirisë së kombit tonë, për fat të mirë ne e zëmë një vend të ndritur si Deçan, si qytetarë të kësaj pjese të hartës së kombit. Ne duhet të dimë se cilat do të jenë fitoret tona të ardhshme, duhet të kemi një qëllim apo fitore që synojmë. Duhet të hymë në NATO, të gjitha të tjerat janë gënjeshtra, mashtrime, na marrin në qafë”, është shprehur Haradinaj.

Po ashtu, kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Deçanit, Hajdar Sutaj, ka shtuar se shtimi i dhunës mbi shqiptarët gjatë viteve 80-ta dhe 90-ta, nxjerrin në pah një brez i cili ishte i bindur që mënyra e vetme që do ta dërgonte vendin tonë tek liria dhe pavarësia është lufta e armatosur, e cila njihet si Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

“Sot dhe asnjëherë, nuk harrojmë dhe nderojmë me respekt familjet e të zhdukurve, të cilët edhe 24 vjet pas lufte ende nuk dinë asgjë për fatin e më të dashurve të tyre”, ka shtuar ai.

Pas përfundimit të seancës së Kuvendit, drejtues të komunës kanë bërë homazhe tek shtatoret e dëshmorëve, Luan Haradinaj, Mentor Tolaj, Sali Çeku e Beg Rizaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ua ka uruar…