Nderohen heronjtë Fahri dhe Bahri Fazliu
Në 20-vjetorin e rënies së heroit të Kosovës, Bahri Fazliu, kryeministri Ramush Haradinaj ka bërë homazhe dhe ka vendosur kurora lulesh te lapidari i heronjve Fahri dhe Bahri Fazliu.
Haradinaj ka thënë se në LKÇK dikur ka njohur djemtë më të pastër shqiptarë, për nga ideali i lirisë dhe ai kombëtar, duke thënë se nga përvoja tij me ata që i ka njohur, gjatë dhe pas luftës vërtetë ka gjetur te ata një pastërti të jashtëzakonshme të idealit kombëtar dhe të lirisë.
“Diçka që kombin tonë e nderon ashtu siç e nderon Ukshin Hoti, Bahri Fazliu si dhe ata burra të cilët gjatë rrugës së tyre jetësore na kanë dhënë mundësinë, që ne të thirremi në këto rrugë dhe në këto argumente”, është shprehur Haradinaj.
Ai ka theksuar se mbamendja historike që e krijojmë në këto përvjetorë, e ka vlerën e vet. “Në këto vende të shënuara të historisë sonë ia vlen për t’u bashkuar të gjithë ngado që vijmë, pa marrë parasysh edhe sot çfarë përkatësish kemi, qoftë politike apo të tjera, një përkatësi nuk ndërron, jemi të këtij vendi, jemi shqiptarë, jemi në të drejtën tonë”, ka deklaruar kryeministri Haradinaj, duke shtuar se duke i konsoliduar të arriturat e tashme nuk do të dalin nga rruga e dëshmorëve dhe atdhetarëve tanë.
“Nëse shkojmë nga një konsolidim i kujdesshëm i të arriturave, pikërisht sakrificës dhe gjakut të Bahriut, Fazliut, Luanit e të tjerëve, ne krijojmë bazë për etapat e ardhshme, për të drejtën tonë, si shqiptarë në trojet tona në Ballkan”, ka thënë kryeministri Haradinaj.
Në emër të familjes Fazliu, të pranishmit i përshëndeti nipi i Bahri Fazliut, Fahri Fazliu i ri.
Të pranishëm në këto homazhe dhe ishin edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, familjarë, përfaqësues të jetë politike dhe të pranishëm të shumtë.