Nderohen me medalje ushtarët e FSK-së që përfunduan akademinë ushtarake në Britani
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama, ka deklaruar se Kosova do të thellojë bashkëpunimin me Britaninë e Madhe, me qëllim që t’i përgjigjet nevojave në kuadër të zhvillimit të forcës dhe ofrimit të kapaciteteve, duke kontribuar në ruajtjen e paqes në botë.
Ai këto komente i ka bërë të mërkurën në Ministrinë e Mbrojtjes, me ç’rast janë ndarë medalje të gjithë oficerëve të FSK-së, të cilët kanë kryer Akademinë Ushtarake Mbretërore Sandhurst në Britaninë e Madhe.
Me këtë rast, komandanti i FSK-së ka përgëzuar oficerët për arritjet e tyre gjatë studimeve në Akademinë Ushtarake Mbretërore Sandhurst.
Ndërsa ambasadori britanik në Kosovës, Ruairi O’Connell, ka thënë se vendi i tij do të ndihmojë Kosovën me përvojën e saj si shtet në fushën e sigurisë, në mënyrë që këto përvoja të përdoren nga ana e FSK-së.