Nderohet figura e Nënë Terezës në Prishtinë
Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, ka mbajtur të hënën edicionin e katër të manifestimit tradicional kulturor-shkencor “Ditët e Gonxhës”, që përkon me 114-vjetorin e lindjes dhe 27-vjetorin e vdekjes së Nënës Terezës.
Ky organizim është mbajtur në sheshin “Nëna Terezë”, me qëllim të përkujtimit dhe kontributit të saj për popullin shqiptar.
Don Lush Gjergji nga Ipeshkvia e Kosovës, ka thënë se përmes kontributit të Nënë Terezës, bota është duke e parë ndryshe popullin shqiptar.
“Sivjet është një përvjetor i jashtëzakonshëm, jo vetëm për Nënë Terezën, 45-vjetorin e shpërblimit Nobel për paqe, por edhe për ne se mos të harrojmë që Nëna Tereza është përfaqësuesja më e mirë, më e denjë dhe e më e madhe, në të cilin Zoti shkriu të gjitha të mira e asaj që është tradita, kultura dhe qytetërimi i lirë arbër dhe shqiptar. Këto vlera ajo i mori në gjirin familjar në Shkup, prej babës Kol dhe nenës loke siç e quante Drana Berna Bojaxhiu, të gjitha këto i fisnikëroi me bujarinë dhe mësimin ungjillor të Jezu Krishtit. Nuk ka shqiptarë dhe fëmijë në djep që Gonxhja ishte motër dhe nënë e jona, por dalëngadalë po depërton zëri dhe fama e saj në nivelin botëror dhe shumë paragjykime që ishin për popullin tonë dalëngadalë po shembën, dhe përmes Nënës Terezë bota po e sheh popullin tonë ndryshe”, ka thënë ai.
Ndërsa drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve-Shkup, Skënder Hasani, ka thënë se trashëgimia e figurave të rëndësishme duhet të ruhet për brezat e ardhshëm. /EO