Nderohet jeta dhe vepra e akademikes, Edi Shukriu
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) ka mbajtur të mërkurën mbledhje komemorative dhe homazhe me rastin e ndarjes nga jeta të akademikes Edi Shukriu.
Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve, Mehmet Kraja, ka theksuar se nga sot do të jenë më të varfër, jo vetëm për një arkeologe të shkëlqyer, historiane, profesoreshë, shkrimtare, poete e dramaturge por do të jenë më të varfër për një personalitet të veçantë që kishte mbresinë e observimit intelektual.
Sekretarja e Seksionit të Shkencave Shoqërore, Gjyljeta Mushkolaj, në emër të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, derisa kujtoi figurën e saj, ajo e vlerësoi si një person me vlera të mëdha që kishte për vendin.
Valtida Shukriu, mbesa e Edi Shukriut kujtoi disa nga fjalët dhe poezitë e arkeologes, Shukriu, derisa tha se asnjëherë nuk është ndalur duke qenë këmbëngulëse për emancipim e barazi mes popujve e gjinive.
Varrimi i të ndjerës do të bëhet sot në orën 15:00, në varrezat katolike të qytetit të Prizrenit.
Edi Shukriu ndërroi jetë më 17 janar 2023, ishte një emër i njohur dhe i çmuar në fushën e arkeologjisë, të historisë, të letërsisë, të angazhimeve politike, institucionale dhe kulturore në Kosovë dhe në mbarë hapësirën shqiptare.