Nderohet jeta dhe vepra e Shaban Viçës-Bacit (Foto)
Qytetarë të shumtë, struktura udhëheqëse komunale dhe qendrore, por edhe mysafirë nga Maqedonia, Presheva dhe Shqipëria të mërkurën kanë bërë homazhe në nderim të jetës dhe veprës së Shaban Viçës-Bacit në 10-vjetorin e vdekjes së tij.
Kurora të freskëta me lule, pranë varrit të Bacit ka vendosur, kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, deputeti i PDK-së, Elmi Reçica së bashku me drejtorin e urbanizimit Lulzim Aliun si dhe këshilltarin komunal Gëzim Haxhimusa, etj.
I vëllai i Shaban Viçës, Nazmiu, ka thënë se Baci përbën një figurë shumëdimensionale, i afërt dhe i dashur, kontributi i të cilit tashmë është i njohur për të gjithë.
Shaban Viça, kontributin atdhetar e patriotik e ka zhvilluar edhe në trojet tjera të shqiptarisë, në Kosovën Lindore, Maqedoni e Shqipëri. Shokët që kishin ardhur nga këto troje e kanë vlerësuar si një luftëtarë të paepur për çështjen kombëtare.
Synimi i Bacit ka qenë bashkim kombëtar. Këtë e kanë thënë familjarët dhe shokët e tij. Sipas tyre ai edhe ka punuar për sendërtimin e këtij misioni.
Ngushëllimi për familjarët e Bacit, janë shokët e tij të cilët për çdo vit e përkujtojnë. Familjarët këtë kontribut të tyre e vlerësojnë si lehtësim për ta.
Ndryshe, me rastin e 10-vjetorit të ndarjes nga jeta të Shaban Viçes, një akademi përkujtimore pritet të mbahet në orët e mbrëmjes në Prishtinë, me ç’rast do të shfaqet edhe një dokumentar kushtuar figurës së tij.
/Epoka e re/