Ndërprerja e punimeve në sheshin ‘Xhorxh Bush’, Bajrami: Policia dhe inspektoratet nuk duhet të lejojnë të keqpërdoren nga deputetët e LV-së

30 prill 2025 | 11:31

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka thënë se institucionet e drejtësisë duhet të veprojnë sa më parë kundër bllokuesve të punëve publike, referuar këtu ndërprerjes së punimeve në sheshin “Xhorxh Bush”.

Bajrami teksa ka publikuar një shkresë të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore, ku thuhej se hapësira ku po zhvilloheshin punët nuk është pjesë e zonës mbrojtëse të Qendrës Historike të Prishtinës, ka thënë se Policia e Kosovës, inspektoratet e të tjera nuk duhet të lejojnë të instrumentalizohen e keqpërdoren nga deputetët e LV-së.

“Institucionet e Republikës së Kosovës siç janë Policia e Kosovës, Inspektoratet e të tjera nuk duhet të lejojnë të instrumentalizohen e keqpërdoren nga deputetët e LVV-së, të cilët tashmë kanë shkelur betimin e deputetit, ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Xhelal Sveçla, Hajrullah Çeku dhe ish-ministra të tjerë, tashmë deputetë nuk kanë asnjë autorizim apo autoritet më shumë se deputetët e tjerë të Kuvendit të Kosovës. Prandaj askush s’duhet të ju nënshtrohet dhe të përfillë urdhrat dhe kërkesat e tyre, joligjore dhe për interesa të ulëta politike”, ka shkruar Bajrami në “Facebook”.

Më tutje, Bajrami ka akuzuar pushtetin qendror se tash e katër vite nuk ka lënë komunë pa e bllokuar – herë duke ndalur fondet, e herë projektet.

“LV-ja, tash e katër vite përmes pushtetit, nuk ka lënë komunë pa e bllokuar – herë duke ndalur fondet, e herë projektet. Por ngjarjet e ditëve të fundit, me rastin e sheshit ‘Xhorxh Bush’, nuk janë vetëm kundër Komunës së Prishtinës, por edhe kundër vetë qytetarëve – një skandal më vete. Bllokuesve dhe uzurpatorëve, të cilët paradite dërgojnë letër se gjithçka është në rregull dhe pasdite përdorin policinë për të ndërprerë punimet, duhet t’u thuhet: mjaft! Institucionet e drejtësisë duhet të veprojnë sa më parë kundër bllokuesve të punëve publike e uzurpatorëve të posteve qeveritare!”, ka shkruar Bajrami.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta ka thënë e kanë merituar…