Ndërprerjet e rrymës po dëmtojnë bizneset, paralajmërohet mbyllja e tyre dhe rritje e çmimeve
Ndërprerjet e vazhdueshme të rrymës ditëve të fundit e kanë vështirësuar punën në sektorin e gastronomisë. Ky sektorë që ka qenë më i atakuar nga pandemia e që nuk e ka pasur ndihëm e duhur nga shtetit do të pësojë edhe më shumë, ka thënë, kryetari i Odës Hotelerisë e Turizmit në Kosovë, Hysen Sogojeva.
Madje, ai ka thënë se do të ketë rritje të çmimeve, duke theksuar se nëse vazhdon zgjatja e orarit pa rrymë atëherë do të vije deri te mbyllja e një numri të konsiderueshëm të tyre.
“Vetë fakti që kjo veprimtari ka qenë më e atakuar gjatë kohës së pandemisë pastaj nuk është ndihmuar fare ashtu qysh kanë qenë parashikimet dhe tash ndalja dhe paraqitja e problemit me rrymë ndikon që kjo veprimtari të jetë shumë e rrezikuar në të ardhmen. Vetë fakti që kemi rritje të çmimeve në çdo produkt është shumë normale tash edhe me harxhimin që e bëjnë me gjenerator që të kemi rritje te çmimeve. Nëse kemi rritje të madhe të çmimeve atëherë klientela mund të largohet. Shumica e bizneseve sot në Kosova nga 18 mijë biznese dhe nëse vazhdohet kështu dhe ka zgjatje të orarit pa rrymë atëherë vjen deri të mbyllja e një numri të konsiderueshëm të bizneseve”, ka thënë Sogojeva për “EO”.
Ndërsa pronari i “MonReve”, Veton Berisha, ka thënë se shpreson që të bëjë zgjidhje shteti sa i përket energjisë elektrike, duke paralajmëruar shtrenjtim të çmimeve. “Vetëm sa ka filluar me ndërprerje që dy javë. Ama ka ndikuar shumë sepse 2 orë ka 6 orë s’ka rrymë. Shumë problem, nuk mundesh me qit as kafe. Klientët janë të pakënaqur. Shpresoj të mos zgjasë më shumë kjo ndërprerje dhe të bëjë zgjidhej shteti e komuna. Nëse do të kemi probleme me rrymë është shumë problem për dimër se duhet me nxeh lokalin. E për çmime besoj se do të ketë ngritje”, ka thënë Berisha.