Ndërpriten të gjitha fluturimet në ardhje me udhëtarë në ‘Adem Jashari’
Në mesnatë ka hyrë në fuqi ndërprerja e përkohshme e të gjitha fluturimeve në ANP “Adem Jashari”, sipas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, i marrë më 13 mars për ndërmarrjen e masave me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit COVID-19 në vendin tonë.
Pezullimi i përkohshëm vlen për të gjitha fluturimet me udhëtarë në bord, që arrijnë në ANP “Adem Jashari” përveç fluturimeve në shkuarje, pra nga Prishtina në drejtim të destinacioneve të ndryshme. Inspektorët e AAC-së, sot, e kanë monitoruar për së afërmi zbatimin e këtij vendimi.
“Lusim të gjithë udhëtarët që të kenë mirëkuptim për këto masa dhe të zbatojnë me përpikëri masat mbrojtëse të rekomanduara nga autoritetet përkatëse. Shpresojmë në përmirësimin e shpejtë të situatës dhe rikthimin e normalitetit në transportin ajror. Nuk ka vend për panik, vetëm për kujdes të shtuar!” ka njoftuar aeroporti “Adem Jashari”.