Arrihet marrëveshje me grevistët e “Trepçës”, ndërpritet greva
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, së bashku me Shyqeri Sadiku, kryetar i Sindikatës së Minatorëve të “Trepçës” dhe i Këshillit Grevist kanë nënshkruar të premten një marrëveshje gjashtëpikëshe me të cilën do të nis trajtimi i të gjitha kërkesave të minatorëve dhe njëkohësisht ndalohet greva e minatorëve e nisur para pesë ditësh në Stantërg.
Takimi i cili ka zgjatur më shumë se pesë orë është udhëhequr nga ministri Valdrin Lluka, ndërsa aty morën pjesë edhe Gazmend Abrashi, këshilltar i kryeministrit, Shyqeri Sadiku, kryetar i sindikatës dhe i Këshillit Grevist të Minatorëve, së bashku me tre anëtarë të tjerë dhe Miftar Hyseni, u.d. i kryeshefit të ndërmarrjes “Trepça”.
Pas një debati përmbajtjesor dhe konstruktiv rreth kërkesave, të cilat kryesisht ndërlidhen me procesin e miratimit dhe me përmbajtjen e projekt-statutit të Ndërmarrjes “Trepça” sh.a., pjesëmarrësit u pajtuan për hapat që duhet ndërmarrë me qëllim të tejkalimit të situatës aktuale në “Trepçë” dhe ndërprerjes së grevës së minatorëve.
Pjesëmarrësit në këtë debat, plotësisht u pajtuan që me propozimin e menaxhmentit aktual të “Trepçës”, Qeveria të vendos që vendburimi Zjaça, të hiqet nga zonat e interesit të veçantë; të formohet një grup ndërinstitucional i ekspertëve, i cili duhet të ofroj propozimin që në kuadër të ndërmarrjes “Trepça” të përfshihen edhe asetet fizibile të cilat aktualisht nuk janë të përfshira në projekt-statutin e ndërmarrjes, dhe formimin e një grupi punues që do të ofrojë zgjidhje për kërkesat sociale që kanë minatorët e ndërmarrjes, të cilat duhet të trajtohen me ligj të veçantë.
Sipas marrëveshjes, grupet punuese dhe të ekspertëve do të formohen më së largu deri më 24.07.2018.
Me nënshkrimin e kësaj marrëveshje Këshilli Grevist i Minatorëve të “Trepçës” është pajtuar për ndërprerjen e grevës për tre muaj.
“Kemi arritur një marrëveshje me sindikatën e ‘Trepçës’. Kemi gjetur një rrugë për t’i dhënë fund grevës. Janë disa benifite të sigurimit shëndetësor, përfshirjen e disa aseteve shtesë si dhe po ashtu kemi krijuar një grup punues që do të trajtojë benefitet sociale. Për gjithë këtë e kemi lënë një afat kohor për 90 ditë, pra për të kryer detyrat tona si qeveri”, ka thënë ministri Valdrin Lluka.
/Epoka e re/