Ndërpritet greva në Aeroportin ‘Adem Jashari’
Sindikata e Punëtorëve të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, ka bërë me dije se ka ndërprerë grevën disaditore, siç është thënë pas diskutimeve të brendshme.
“Dëshirojmë të njoftojmë të gjithë udhëtarët tanë se pas diskutimeve brenda kompanisë me Sindikatën e Punonjësve të Aeroportit ‘Adem Jashari’ kemi ardhur në një konkludim të përbashkët dhe si rezultat i kësaj greva nuk do të vazhdojë Të gjitha detajet e tjera janë subjekt i çështjeve të brendshme të kompanisë dhe nuk do të bëhen publike”, është thënë në njoftimin e kësaj sindikate.
Ditë më parë, punëtorët e Aeroportit “Adem Jashari” kishin hyrë në grevë si pasojë e moszbatimit të kërkesave të tyre.
Zbatimi i Kontratës Kolektive ishte një nga kërkesat e punëtorëve, por e cila sipas menaxhmentit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, konsiderohet joligjore.
Kontrata Kolektive parasheh shujtën, shpenzimet e udhëtimit dhe pagën jubilare çdo 10 vjet për punëtorët.
Kontrata Kolektive në Kosovë është një marrëveshje e arritur në bazë të Ligjit të Punës, dhe si e tillë ligjërisht rregullon të drejtat e punëtorëve në sektorin publik dhe privat. Ndërkohë, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, ka përkrahur kërkesat e punëtorëve.