Ndërpritet interneti në Kazakistan
Qasja në internet është ndërprerë në Kazakistan mes protestave masive të shkaktuara nga rritja e çmimeve të karburantit.
Protestuesit antiqeveritarë në qytetin Almaty, sulmuan zyrën e kryetarit të bashkisë të mërkurën. Një pjesë e ndërtesës duket se ishte në flakë.
Protestat kanë shpërthyer edhe në disa qytete të tjera, ku forcat e sigurisë kanë përdorur gaz lotsjellës dhe granata trullosëse.
Presidenti ka premtuar një përgjigje të ashpër, duke i quajtur protestat një “periudhë të zezë” në historinë e vendit.
“Si president, jam i detyruar të mbroj sigurinë dhe paqen e qytetarëve tanë, të shqetësohem për integritetin e Kazakistanit”, tha Kassym-Jomart Tokayev në një fjalim televiziv. Ai i quajti protestuesit komplotistë të cilët ishin të motivuar financiarisht, shkruan BBC, përcjell Klankosova.tv
Shërbimet e internetit në vend janë ndërprerë që nga e marta. Deri të mërkurën, grupi i monitorimit të internetit NetBlocks raportoi se Kazakistani ishte në mes të një ndërprerjeje të internetit në shkallë kombëtare.
Kjo erdhi pasi mijëra njerëz dolën në rrugë, pavarësisht gjendjes së jashtëzakonshme në kryeqytetin Nur-Sulltan, në Almaty dhe në provincën perëndimore të Mangistaut.
Në Almaty, protestuesit u mblodhën në zyrën e kryebashkiakut përpara se ta sulmonin atë. Videot në mediat sociale treguan një shtëllungë tymi që ngrihej nga ndërtesa, ndërsa dëgjoheshin edhe të shtëna me armë zjarri.
Shefi i policisë së qytetit, Kanat Taimerdenov, tha se ekstremistët dhe radikalët kishin sulmuar 500 civilë dhe kishin plaçkitur qindra biznese.