Ndërpritet seanca fillestare ndaj Nagip Krasniqit, mbrojtja kërkon prova për aktakuzën

19 shtator 2024 | 12:32

Të enjten ka nisur seanca fillestare e gjykimit ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, i cili akuzohet për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”.

Siç ka raportuar “TV Dukagjini”, pas disa minutave, seanca fillestare është ndërprerë për shkak se mbrojtja ka kërkuar, meqë ka thënë se nuk ka marrë të gjitha provat me të cilat është mbështetur aktakuza.

Mbrojtja e të akuzuarit ka përmendur disa nga provat që sipas tyre nuk i kanë pranuar, duke përfshirë edhe dëshmitë e dëshmitarëve, ndërkohë që prokurori ka thënë se ia kanë dorëzuar të gjitha.

Krasniqi, i cili është arrestuar më 19 prill të vitit të kaluar, është përballur me një operacion të gjerë bastisjeje nga Njësia e Veçantë e Hetimeve.

Arrestimi i Krasniqit ishte bërë me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Gjatë këtij operacioni, janë kryer kontrollime në zyrën e tij në KEK dhe në dy banesat e tij private.

Ai ka qëndruar në paraburgim deri në shtator dhe, pas lirimit, iu ndalua t’i afrohej objektit të KEK-ut.

Krasniqi ishte emëruar në krye të KEK-ut në tetor të vitit 2021.

Sipas informacioneve, aktakuza ndaj tij është e ndarë plotësisht nga hetimi për të cilin ai ishte arrestuar vitin e kaluar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Daniele De Rossi është shkarkuar nga Roma pas vetëm katër…