
Ndërpritet seanca ndaj Lekajt për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend, kjo është arsyeja
Për shkak që mbrojtësi i të akuzuarit Pal Lekaj, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), avokati Musa Damati, ka deklaruar se nuk janë pajisur me shkresa të lëndës nga prokuroria, është ndërprerë seanca e së enjtes në rastin ku Lekaj po akuzohet se në cilësinë e deputetit, ka hedhur gaz lotsjellës në hollin e Kuvendit të Kosovës.
Lekaj është duke u akuzuar se më 30 nëntor 2015 në hollin e Kuvendit, me qëllim të pengimit të punës së deputetëve, ka hedhur gazin lotsjellës, me ç’rast për disa minuta është ndërprerë puna dhe deputetët e të pranishmit e tjerë, janë detyruar të largohen nga holli dhe salla e Kuvendit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht, mbrojtësi i të akuzuarit Lekaj, avokati Damati ka deklaruar se nga Prokuroria e Shtetit nuk janë pajisur me shkresa të lëndës, përveç aktakuzës nga Gjykata, andaj kërkuar të pajisen me të njëjtat.
Për këtë, prokurori i rastit Arianit Salihi, ka thënë se nuk ka prova që mbrojtja dhe i akuzuari të jenë pajisur me shkresa të lëndës.
Në këto rrethana, gjykatësja e rastit Edita Çanta e ka ndërprerë seancën duke e shtyrë për datë të pacaktuar, derisa prokuroria të pajisë të akuzuarin dhe mbrojtësin me të gjitha shkresat e lëndës, që të mund të deklarohet në këtë çështje penale.
Gjykata e ka obliguar prokurorinë që brenda afatit ligjor t’i pajisë palët me të gjitha shkresat e lëndës.
Ndryshe, prokuroria Themelore në Prishtinë, më 1 qershor 2017 ka ngritur aktakuzë kundër Pal Lekajt, të cilin e ngarkon me veprën penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.