Ndërpritet seanca, Vetëvendosje dhe LDK-ja lëshojnë sallën e Kuvendit
Seanca e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë pasi që nuk ka pasur kuorum për vazhdimin e saj.
Refuzimi i deputetëve të shumicës për të marrë pjesë në votimin e rekomandimeve që të opozitës pas interpelancës për kryeministrin Ramush Haradinajn lidhur me rritjen e pagave, ka bërë që deputetët e lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së ta braktisin seancën.
Kryesuesi i seancës, Xhavit Haliti, e ka bërë të mundur tri herë të votohen rekomandimet e opozitës, por në votim nuk merrnin pjesë më shumë se 50 deputetë, ani pse në sallë ishin 82 deputetë.
Sipas rregullores së Kuvendit, pa marrë pjesë në votim të paktën 60 deputetë nuk mund të miratohet ose rrëzohet ndonjë çështje që hidhet në votim.
Për vazhdimin e seancës, Haliti ka thënë se do të vendos Kryesia në mbledhjen e ardhshme.