Ndërpritet vaksinimi kundër gripit sezonal në Prishtinë, shkak tollovia e madhe

01 dhjetor 2020 | 12:47

Radhë të shumta të qytetarëve janë parë sot para Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë.

Shumë qytetarë i janë drejtuar kësaj qendre për tu vaksinuar me vaksinën e gripit sezonal.

Për shkak të tollovisë, është dashur të intervenoj edhe Policia e Kosovës. Ndërsa, vaksinimi i qytetarëve është ndërprerë për sot.

Një gjë të tillë e ka bërë me dije për “Express”, kryeshefi i QKMF-së, Sami Uka.

Ai ka thënë se të gjithë qytetarët që ishin grumbulluar jashtë kësaj qendre, kanë qenë duke pritur për vaksinim.

Ai ka treguar se ditën e nesërme nga ora 08:00 do të fillojë prapë vaksinimi i qytetarëve.

“Pritjet ishin për vaksinim por për shkak të tollovisë u detyruam që ta ndërprejmë vaksinimin sot. Nesër në orën 08:00 fillon vaksinimi”, ka thënë ai.

Derisa vaksinimi i sotëm është ndërprerë për shkak të mosrespektimit të masave ndaj pandemisë, Uka ka thënë se ditën e nesërme do të bëhet vaksinimi i këtyre qytetarëve, por që ata do të duhet të mësohen që të mbajnë radhën.

Përndryshe, ai ka thënë tutje se gjithë këta qytetarë nuk do të mund të testohen brenda ditës.

Sipas tij, vaksinimet do të kryhen për më pak se dy javë.

“Natyrisht se nuk mund të vaksionoheshin të gjithë brenda ditës, por më së shumti për 10 ditë do të vaksinohen të gjithë”, ka shtuar ai.

Qytetarë të shumtë të cilët ishin duke pritur në radhë për vaksinim në QKMF-në në Prishtinë, nuk ishin duke respektuar masat mbrojtëse ndaj Covid-19.

Ishin të moshuarit ata që po prisnin për tu vaksinuar në këtë qendër.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Meliza Haradinaj-Stublla,…