Ndërrimi i qeverisë ua dha “goditjen” e radhës, kullat e Jasharëve në gjendje të mjerueshme
I mbijetuan luftës, por po rrënohen në paqe.
Kjo do të ishte shprehja më adekuate për ta përshkruar gjendjen në të cilën kanë mbetur kullat e familjes legjendare Jashari në Prekaz të Drenicës.
Sa herë të vije periudha e Epopesë së UÇK-së, vendi më i vizituar nga liderë shtetëorë e mijëra qytetarë janë kullat e Jasharëve të cilat kanë mbetur në gjendje të mjerueshme.
Nevojë urgjente është që të njëjtat të restaurohen, përmes një projekti për konservimin e tyre, e që do t’u siguronte qëndrueshmëri më të madhe karshi kohës që po kalon.
Sidoqoftë, ndërrimi i qeverive veç sa e ka zgjatur periudhën e pritjes për renovimin e kullave në Prekaz të Skenderajt.
Se gjendja nuk është aspak e mirë e pranon edhe kryetari i Agjencionit për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, Bislim Zogaj.
Ai për lajmi.net thotë se ndërrimi i qeverive veç se e ka dhënë efektin e saj negativ, ngase me rënien e qeverisë së kaluar, rrjedhimisht është shpërbërë edhe Komiteti Ndërministror që e ka pasur për detyrë të merret me Agjencionin për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale.
“Domosdoshmërisht ndërrimi i qeverive veç e ka dhënë ndikimin në vonesa. Realisht gjendja e kullave nuk është e mirë. Në ligjin që është aprovuar në fund të vitit 2018, Ligji për Kompleksin “Adem Jashari”, ia ka bërtur kompetencat një komiteti ndërministror që formohet nga kryeministri i Kosovës, dhe në vitin 2018 kryeminitri Haradinaj pati formuar një komitet të tillë që e udhëhiqte Fatmir Limaj. Në atë komitet kanë qenë edhe 14 anëtarë tjerë, gjegjësisht unë dhe anëtari i familjes Jashari, Bekimi”, ka thënë Zogaj.
Por procedurat u vonuan edhe në këtë komitet. Zogaj sqaron se pas disa takimeve, është kërkuar informacion nga Agjencioni lidhur me punët që janë kryer deri tash në këto kulla.
Zogaj për lajmi.net thotë se Ligji e parasheh që Komiteti e ka për obligim ta bëj projektin e përgjithshëm të kompleksit, teksa nën përgjegjësinë e Agjencionit që udhëheq ai është vetëm konservimi i shtëpive të rezistencës.
“Ai komitet ndërministror ka mbajtur disa takime dhe fillimisht komiteti ka kërkuar informacione nga Agjencioni se çka është bërë deri më tash për Kullat. Ne kemi qenë të obliguar ta informojmë komitetin që Agjencioni posedon apo ka një projekt sa i përket vetëm konservimit të shtëpive të rezistencës, kurse Ligji e parasheh që komiteti e ka për obligim të bëj projektin e përgjithshëm të kompleksit, ku përfshihet edhe një muze, pastaj një amfiteatër dhe objekte tjera përcjellëse”, ka thënë Zogaj.
Zogaj ka sqaruar se Komiteti kishte marrë për detyrë që të formonte një zyrë konsulente për pranimin e ofertave, por që e njëjta pak më vonë ishte shpërbërë pas dorëheqjes së Haradinajt, dhe se punët mbetën në gjysmë.
“Paraqitja jonë me projekte e ka vendosur në dilema Komitetin Ndërministror se si të veprohet, pra të veprohet me projektin ekzistues apo të bëhet një projekt tjetër dhe nnë ndërkohë komiteti është përcaktuar që të organizojë një zyre konsulente për ofertat e kompanive që bëjnë konservim dhe projektim. Në momentin që vendosëm të formohet kjo zyre, kryeministri Haradinaj pati deklaruar dorëheqjen dhe më ky komitet ndërministror nuk vepron, dhe vet fakti që nuk vepron ka shku në disfavor të kompeksit “Adem Jashari”, ka sqaruar Zogaj.
Sidoqoftë, Zogaj thotë se janë në pritje nga kryeministri Kurti të veprojë sa më shpejt në këtë drejtim dhe të formojë një komision ndërministror.
“Për momentin jemi në pritje nga kryeministri Albin Kurti që ta formojë komitetin ndërministror që shpresoj se do ta vazhdojë punën aty ku ka mbetur nga komiteti i kaluar. Ne kemi pasur dje një takim me një pjesë të komisionit parlamentar që ka për obligim mbikëqyrjen e Agjencionit, dhe edhe ata kanë kërkuar të dihet cka është bërë deri më tash, dhe tani ka mbetur që kryetari i Komisionit, Liburn Aliu ta informojë kryeminstrin lidhur me këtë”, ka thënë ai.
Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shënohet çdo 5,6 e 7 mars dhe i dedikohet rënies heroike të familjes Jashari më 1998 në Prekaz.
Kullat e kësaj familjeje që nga përfundimi i luftës nuk kanë pasur përkujdesje institucionale, ani pse çështja në fjalë ishte shndërruar në kauzë të secilës qeveri të pasluftës.